Emisioni “Opinion” mbrëmjen e kësaj të mërkure, u fokusua te turizmi në Shqipëri dhe veçanërisht ai malor. Gazetari Blendi Fevziu bëri një apel të qartë për të gjithë shikuesit: destinacionet alpine janë po aq të bukura dhe mahnitëse sa plazhet që tërheqin vizitorë gjatë verës, dhe janë lehtësisht të arritshme, madje vetëm katër orë nga Tirana për të mbërritur në Rugovë, ndërsa destinacione të tjera janë edhe më afër.
Fevziu theksoi gjithashtu se shumë pak persona me mundësi financiare ose influencues tregojnë bukuritë e natyrës shqiptare, ndërsa nuk pushojnë së promovuari çdo restorant apo WC në qytetet e mëdha europiane si Milano, Romë apo Paris.
“Në fakt unë kisha një apel për të gjithë ata që shohin. Mos harroni që destinacionet alpine janë po aq të bukura, po aq mahnitëse sa plazhi në verë që iu tërheq. Janë po aq afër sa plazhi. Më i largëti nga Tirana është 4 orë e pak që të arrish në Rugovë, është më i largëti. Ndërkohë që të gjitha destinacionet e tjera janë më afër.
Por, prej aty keni kapur kulmin e Alpeve të Shqipërisë. Edhe një gjë e kam vënë re, që njerëzit që kanë mundësi financiare, njerëzit që kanë një lloj trendi, influencer, njerëzit që kanë para shoh që shumë pak e promovojnë natyrën. Unë jam vetë një njeri që udhëtoj në të gjithë botën, por nuk pushojnë së promovuari çdo restorant në Milano, apo çdo WC në Romë apo në Paris, por nuk promovojnë vende që realisht janë mahnitëse”, tha Fevziu./kb
