Franca do të presë të hënën një takim të liderëve të “Koalicionit të të Gatshmëve”, ku pritet të marrin pjesë të paktën 25 krerë shtetesh dhe qeverish për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën, në prag të festimeve të Ditës së Bastijës. Në Paris do të jetë i pranishëm edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili do të qëndrojë në kryeqytetin francez të hënën dhe të martën. Koalicioni, i krijuar në Paris dhe i bashkëdrejtuar nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, është zgjeruar tashmë në 37 vende. Në takimin e së hënës do të marrin pjesë për herë të parë edhe Moldavia dhe Maqedonia e Veriut. Takimi do të zhvillohet në Hôtel des Invalides, ku aleatët synojnë të forcojnë bashkëpunimin dhe unitetin në mbështetje të Ukrainës. Sipas presidencës franceze, ky angazhim u riafirmua edhe në samitin e fundit të G7 dhe atë të NATO-s, ku aleatët u zotuan të ofrojnë 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për Kievin gjatë vitit 2026. Një këshilltar i presidentit francez Emmanuel Macron tha se synimi është t’i dërgohet një mesazh Moskës se aleatët perëndimorë nuk po humbasin vullnetin për të mbështetur Ukrainën dhe se Rusia nuk mund të mbështetet te “lodhja nga lufta”.
Në qendër të diskutimeve do të jenë forcimi i mbrojtjes ajrore, përfshirë planet e reja amerikane për prodhimin me licencë të raketave Patriot në Ukrainë, si edhe krijimi i një sistemi mbrojtës kundër raketave balistike.
Liderët do të shqyrtojnë gjithashtu garancitë e sigurisë për Ukrainën në rast të një armëpushimi të ardhshëm. Sipas Francës, planet për vendosjen e një force shumëkombëshe larg vijës së frontit janë gati, megjithëse mund të ndryshojnë për shkak se fundi i konfliktit mbetet ende i largët. Garancitë do të mbështeteshin edhe në marrëveshje dypalëshe me fuqi ligjore dhe në përfshirjen e SHBA-së në monitorimin e një armëpushimi. Takimi zhvillohet një ditë përpara paradës tradicionale të 14 Korrikut. Pallati Élysée njoftoi se në paradën e këtij viti do të marrin pjesë rreth 6.800 ushtarakë, 15% më shumë se një vit më parë, ndërsa numri i mjeteve ushtarake dhe avionëve është rritur me 30%. Rreth 500 ushtarakë nga vendet e “Koalicionit të të Gatshmëve” do të kryesojnë paradën. Në fluturimet demonstrative do të marrë pjesë edhe formacioni akrobatik francez “Patrouille de France”, i shoqëruar nga dy avionë luftarakë Mirage me bashkëpilotë ukrainas të trajnuar në Francë. Në paradë do të angazhohen gjithashtu avionë nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kroacia, Danimarka, Spanja, Greqia, Italia, Norvegjia, Polonia dhe Suedia./FC
