Last Updated on 25/03/2026 by Anisa
Debati publik mes ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianjit, dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, është intensifikuar, duke zbuluar për publikun edhe biseda personale.
Salianji zbuloi detaje nga një takim që sipas tij zhvilloi me Berishën pas lirimit nga burgu. Ai theksoi se kishte marrë leje në muajin maj, me vonesë, pasi sipas tij duhej të ishte liruar gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
Në deklaratën e tij, Salianji pretendoi se gjatë bisedës, Berisha i kishte thënë se lirimi i tij nga arresti në shtëpi kishte ardhur si rezultat i një marrëveshjeje të nënkuptuar politike: “Berisha më tha që i kam një detyrim Edi Ramës, që të rrijë në pushtet deri në vitin 2033, sepse këtë ma kërkuan në momentin që më nxorën nga arresti shtëpiak”, u shpreh Salianji në emisionin “Now”.
Sipas ish-deputetit, sistemi i drejtësisë ndodhet nën ndikimin e qeverisë dhe vendimet janë marrë në funksion të interesave politike. Ai shtoi se Berisha u lirua nga masa e arrestit në shtëpi pak muaj para zgjedhjeve, ndërsa vetë ai u mbajt në burg dhe nuk u lejua të kandidojë:
“Zotin Berisha e liruan para zgjedhjeve, ndërsa mua më mbajtën në burg dhe nuk më lanë të kandidoj, sepse aty ku kam kandiduar kam fituar”, tha Salianji.
Salianji gjithashtu paralajmëroi se nëse situata vazhdon dhe sipas tij “trillimet” vijojnë, është i gatshëm të bëjë publike edhe detaje të tjera, duke lënë të kuptohet se mund të ketë zhvillime të mëtejshme në këtë debat.
Në një konferencë nga selia blu, Berisha aludoi se tre muaj para se Salianji të përfundonte dënimin për çështjen “Babale”, ai kishte dalë nga burgu dhe i kishte shkuar në seli.
Sipas Berishës, Salianji i kishte rrëfyer se për të dalë me kusht nga burgu, Gjykata dhe Drejtoria e Burgjeve i kishin kërkuar të nënshkruante një deklaratë, në të cilën do të duhej të siguronte se nuk do të dëmtonte ish-ministrin e brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Berisha pretendoi se e kishte këshilluar ish-deputetin që të mos nënshkruante një deklaratë të tillë, duke argumentuar se Salianji nuk kishte asnjë konflikt me Xhafajn dhe se konsiderohej një i burgosur politik.
“Një ditë më vjen nga burgu në zyrë, se mirë është meqenëse e hapëm bisedën, dhe më thotë, erdha të të marr një mendim. Çfarë mendimi, i them unë. Urdhëro, e prita mirë. Sigurisht, kemi bërë gjithçka për ta cilësuar të burgosur politik dhe e ka merituar plotësisht. Çfarë mendimi? Tani, thotë, më kanë ngelur tre muaj burg. Për të dalë më takon të dal sipas ligjit, por kërkojnë një deklaratë në të cilën duhet të garantoj se nuk do vras Fatmir Xhafën. Kush ta kërkon këtë? Ma kërkon gjykata dhe drejtoria e burgut. I them unë, po ti je i burgosur politik. Nuk ke punë me Fatmir Xhafën, nuk je zënë, nuk je sharë, nuk je rrahur me Fatmir Xhafën. Meqë më pyet mua, unë të këshilloj që një deklaratë të tillë të mos e bësh se ti merr fajësinë në këtë mes. Të thuash që unë nuk kam ndërmend të vras Fatmir Xhafën, do të thotë se Fatmir Xhafa të burgosi ty se e ke kërcënuar.”
Debati mes ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianjit, dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, ka marrë një intensitet të ri, ndërsa përplasja lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet për kryetar të partisë, pasi Salianji ka shpallur ambiciet e tij për të kandiduar./fjala.al-A.D
