Reshjet e dendura të shiut që vijojnë prej disa ditësh kanë shkaktuar problematika të shumta edhe në zonat e Lushnjës dhe Divjakës, duke sjellë përmbytje të konsiderueshme të tokave bujqësore.
Lumi Seman ka dalë nga shtrati, duke përmbytur rreth 130 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturës në fshatrat Ngurrëz dhe Imshtë. Ndërkohë, lumi Shkumbin ndodhet pranë daljes nga shtrati, me disa hektarë tokë tashmë nën ujë.
Situata paraqitet problematike edhe në njësinë administrative Grabjan, Divjakë, si dhe në njësinë administrative Dushk, Lushnje, ku raportohen rreth 150 hektarë tokë e mbjellë e përmbytur.
Për të përballuar situatën, hidrovoret e Tërbufit, Karavastasë dhe Divjakës po punojnë me kapacitet të plotë, ndërkohë që reshjet e shiut vijojnë ende me intensitet mesatar. Autoritetet lokale janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe u bëjnë thirrje fermerëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare./K.M
