Ekipet e shpëtimit në Indinë verilindore kanë nxjerrë edhe dy trupa të tjerë nga një minierë ilegale qymyri, ku një shpërthim i fuqishëm i mori jetën 27 personave, sipas autoriteteve lokale.
Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten, më 5 shkurt, rreth orës 10:00 të mëngjesit sipas orës lokale, në distriktin East Jaintia Hills. Shpërthimi ndodhi në një të ashtuquajtur minierë “rat-hole”, e quajtur kështu për shkak të galerive shumë të ngushta, ku punëtorët detyrohen të zvarriten për të nxjerrë qymyrin.
Sipas autoriteteve, tetë persona të tjerë u plagosën dhe po marrin trajtim mjekësor. Gjendja e tyre raportohet e stabilizuar.
Operacionet e shpëtimit u vështirësuan ndjeshëm nga vendndodhja e largët e minierës, ku ekipet shtetërore dhe federale u deshën disa orë udhëtim jashtë rrugëve të zakonshme për të arritur në zonë.
Minierat “rat-hole” kanë qenë dikur të përhapura në shtetet verilindore të Indisë, por u ndaluan me ligj në vitin 2014, për shkak të numrit të lartë të viktimave dhe dëmeve serioze mjedisore. Megjithatë, aktiviteti ilegal vazhdon në disa zona të thella të vendit.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shpërthimit dhe për të identifikuar përgjegjësit e këtij aktiviteti të paligjshëm./mxh
