Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku ishte i pranishëm këtë të martë në dëgjesën publike të radhës në Elbasan.
Mazniku vlerësoi reformën e vitit 2014, që sipas tij ka sjellë një seri vlerash të dobishme në njësitë administrative të vendit.
Socialisti shtoi se një nga rezultatet më pozitive nga ajo reformë ishte ulja e shpenzimeve dhe rritja e shërbimeve për qytetarët.
“Në vitin 2014 u ndërmor një hap shumë i guximshëm, ku minibashkitë dhe minikomunat që nuk ofronin dot funksionet që duhet t’u ofronin qytetarëve të tyre, kaluam nga 373 njësi të copëzuara drejt një sistemi me 61 bashki, që sot kanë një peshë reale dhe të prekshme në jetën e qytetarëve. Ky ka qenë një hap shumë i dobishëm përpara. Shpenzimet që bashkitë kanë për pagat janë ulur, ndërsa investimet janë rritur, funksionet janë shtuar dhe shërbimet ndaj qytetarëve janë rritur. Në analizën tonë reforma e vitit 2014 ka sjellë një seri vlerash të dobishme”,-tha Mazniku./mxh
