Last Updated on 22/03/2026 by Anisa
Nga Auron Tare
Dje postova një shkrim mbi një episod nga Lufta Italo-Greke e viteve 1940–1941 që bënte fjale për rënien në Kuotën 731 në Malin e Trebeshinës të një Princi të Familjes së Burbone-Parma.
Shkrimi, i bazuar në disa kronika te kohes u botua nga disa gazeta dhe pati shumë reagime. Interesant ishte fakti që një pjesë e komentuesve shpreheshin se Shqipëria nuk ka pse të ruajë apo të mbrojë memorien e kësaj lufte, pasi sipas tyre nuk ishte e përfshirë si palë në konflikt.
Komente të tilla, në fakt, më nxisin të shkruaj edhe më shumë për ngjarjet historike të asaj periudhe, për t’i ndihmuar lexuesit të kuptojnë se ky konflikt, me përmasa ndërkombëtare mes Italisë dhe Greqisë, i zhvilluar në territorin shqiptar, nuk ishte vetëm një episod i rëndësishëm historik, por edhe një ngjarje që përfshiu vende dhe figura me peshë për kohën. Fakti qe Gjermania u detyrua te shtynte Operacionin “Barbarosa” kunder Bashkimit Sovjetik dhe te nderhynte ne Greqi per te siguruar prapavijen e saj, flet vete per rendesine strategjike te konfliktit.
Zelli i kohës ishte aq i madh, sa edhe Biblioteka Britanike në Tiranë, e ndërtuar nga Lady Carnarvon, u dogj me urdhër të Ministrit të Arsimit të asaj kohe.
Reparte me “këmisha të zeza” shqiptare morën pjesë në luftime, dhe ka plot episode të tjera që meritojnë të përmenden. Këto janë të rëndësishme jo vetëm për historinë, por edhe për edukimin e brezave që vijnë pasi Historia është një mësim i vlefshëm për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës.
Prandaj, të gjithë atyre që mendojnë se memoria e Luftës Italo-Greke nuk duhet ruajtur, do t’u thosha të shohin se si vendet e qytetëruara ruajnë çdo vend me rëndësi historike, nga kampet e shfarosjes deri te betejat epike.
Sa më mirë ta kuptojmë këtë, aq më shumë mund të mësojmë nga e kaluara. Për më tepër, këto vende mund të shndërrohen edhe në pika të rëndësishme të turizmit kulturor.
Në kodrat dhe malet ku dikur kaluan ushtri të fuqishme, ne nuk mund të tregojmë vetëm se si qethen delet , por edhe betejat dhe emrat që kanë bërë historinë.
Me këtë në mëndje më poshtë disa foto nga Arkivi Italian “Luce” mbi vizitën e Musolinit në Shqipëri ku inspektoi Frontin Italo -Grek nga 09 Marsi deri në 21. të 1941-s.



