Last Updated on 14/10/2026 by Monika
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar ashpër ndaj akteve të dhunës që kanë përfshirë kryeqytetin, duke dënuar sulmet e fundit të kryera në emër të protestave studentore. Përmes një deklarate të prerë, Luarasi ka bërë një ndarje të qartë mes protestës legjitime dhe akteve të vandalizmit, duke kërkuar që përgjegjësit të përballen me ligjin.
“Molotovi nuk ka diplomë”, ka deklaruar Luarasi, duke theksuar se personat që thyejnë institucione publike, djegin biznese private dhe plagosin efektivët e policisë nuk përfaqësojnë dhe nuk mund të quhen studentë. Sipas saj, këto veprime janë vazhdimësi e së njëjtës dhunë politike të njohur prej vitesh në vend, e cila tashmë po tentohet të fshihet pas emrit të të rinjve.
Më tej, deputetja socialiste nënvizoi se studentët e vërtetë protestojnë me argumente dhe jo me zjarr. Ajo i ka bërë thirrje institucioneve ligjzbatuese që të zbulojnë dhe të çojnë përpara drejtësisë të gjithë ata që organizojnë, nxitin dhe financojnë këtë valë dhune urbane.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur situata në rrugët e Tiranës mbetet e tensionuar, me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, si dhe sulme ndaj godinave qeveritare dhe bizneseve të ndryshme./mxh
