Jose Mourinho ka zbuluar një prapaskenë të rëndësishme nga karriera e tij. Trajneri portugez ka treguar se në vitin 2013 ishte shumë pranë marrjes së drejtimit të Manchester United, si pasues i legjendës Sir Alex Ferguson. Në një dokumentar të Netflix, Mourinho rrëfeu se, pas largimit nga Real Madrid-i, kishte rënë dakord të merrte drejtimin e “Djajve të Kuq”.
Por në momentin e fundit, ai ndryshoi mendje dhe zgjodhi të rikthehej te Chelsea. Sipas teknikut portugez, vendimi nuk ishte thjesht profesional. Mourinho thotë se kishte nevojë të ndiente dashurinë dhe mbështetjen e një klubi me të cilin kishte një lidhje të veçantë.
“Një gjë është dashuria për futbollin, një tjetër është dashuria për një klub të caktuar. Mendoj se kjo është më e fuqishme se dashuria për futbollin dhe, pas Real Madrid-it, kisha nevojë të ndieja se më duan”, është shprehur Mourinho.
Ai pranoi se humbja e mundësisë për të qenë pasardhësi i Ferguson-it ishte dramatike, por theksoi se nuk është penduar për zgjedhjen e bërë. Megjithatë, historia e Mourinho-s me Manchester United nuk përfundoi aty.
Në vitin 2016, portugezi mori drejtimin e klubit dhe qëndroi në krye deri në vitin 2018. Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi tre trofe: Europa League, Kupën e Ligës Angleze dhe Community Shield, duke lënë pas një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij./kb
