Last Updated on 11/08/2026 by EL
Jo të gjithë njerëzit tërheqin njësoj mushkonjat. Një studim i ri tregon se edhe mushkonjat kanë “preferencat” e tyre dhe se lloje të ndryshme mund të zgjedhin njerëz të ndryshëm.
Studiuesit testuan 3 lloje mushkonjash te 119 persona në Miami, duke analizuar reagimin e tyre ndaj erës së trupit, dioksidit të karbonit, nxehtësisë, lagështisë dhe përbërësve të ndryshëm të lëkurës.
Rezultatet treguan se disa persona ishin shumë tërheqës për më shumë se një specie, por asnjë prej tyre nuk ishte ndër më tërheqësit për të treja llojet.
Mushkonja e etheve të verdha tregoi një preferencë të lehtë për meshkujt, ndërsa mushkonja tigër aziatike u tërhoq më shumë nga disa përbërës kimikë të lëkurës. Një rol të rëndësishëm luajnë edhe bakteret dhe mikroorganizmat që jetojnë natyrshëm në lëkurën tonë.
Shkencëtarët thonë se kuptimi i këtyre preferencave mund të ndihmojë në zhvillimin e mënyrave më të sakta për të luftuar sëmundje si dengue, Zika, ethet e verdha dhe virusi i Nilit Perëndimor.
Mushkonja tigër aziatike, ndërkohë, është tashmë e përhapur në 17 vende evropiane, përfshirë Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë, dhe vazhdon të zgjerojë territorin e saj./et
