Kuvendi mblidhet këtë të martë, më 3 shkurt, në seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar 14 pika, ndër të cilat njëra prej tyre pritet të shoqërohet me debate politike. Bëhet fjalë për propozimin e shumicës për ndryshime në përbërjen dhe drejtimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.
Partia Socialiste kërkon rishikimin e formulës aktuale të komisionit, duke kaluar nga ndarja e barabartë mes mazhorancës dhe opozitës në një përbërje me 17 anëtarë, ku 9 do t’i përkasin PS-së, ndërsa 8 opozitës.
Po ashtu, propozohet që komisioni të mos ketë më dy bashkëkryetarë, por të drejtohet nga një kryetar i mazhorancës, ndërsa opozita të përfaqësohet me një nënkryetar.
Sipas socialistëve, këto ndryshime janë të domosdoshme për të garantuar vijimin e punës së komisionit, pas bojkotit të mbledhjeve nga opozita.
Pas mungesës së opozitës në mbledhjen e fundit të Komisionit të Reformës Territoriale, mazhoranca ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga kërkesa, e cila pritet të shqyrtohet dhe votohet sot në seancë .
Partia Demokratike nga ana tjetër pretendon se nuk ka marrë pjesë për shkak të agjendave paralele dhe jo për arsye bojkoti. Madje një ditë më parë në mbledhjen e zhvilluar nga Kryesia e PD-së, demokratët kanë vendosur që të mos i bojkotojnë komisionet e posaçme të reformës territoriale dhe zgjedhore
Ndryshimi i qëndrimit të demokratëve erdhi vetëm pak orë pasi socialistët, deklaruan se do ta çonin përpara dhe do ta miratonin në seancën e së martës ndryshimin e përbërjes së komisionit, duke marrë edhe shumicën dhe drejtimin.
Kryetari i socialistëve, Arbjan Mazniku, shpjegoi se ngutja për të ecur përpara me reformën territoriale u diktohet nga zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, por edhe nga procesi i negociatave.
Në rast se propozimi miratohet, drejtimi i Komisionit të Reformës Territoriale do t’i kalojë deputetit socialist Arbjan Mazniku, ndërsa Luçiano Boçi nga Partia Demokratike do të mbajë funksionin e nënkryetarit. Nga ana tjetër, PD ka paralajmëruar mundësinë e ngritjes së komisioneve paralele për të hartuar propozimet e saj për reformat.
Pavarësisht kundërshtive të opozitës, shumica parlamentare i ka votat e nevojshme për të miratuar ndryshimet e propozuara.
Diskutime të tjera
Në axhendën e Kuvendit përfshihen gjithashtu ndryshime në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, si edhe në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”. Po ashtu, do të zhvillohet një interpelancë me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, e kërkuar nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Deputetët do të diskutojnë edhe projektligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, si dhe një projektvendim për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm, në kuadër të Komisionit Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Pjesë e axhendës së sotme të Kuvendit është edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) Interreg Europe 2021-2027”./kb
