Last Updated on 17/07/2026 by EL
Harta teritoriale e bashkive pritet të ndryshojë në mënyrë të njëanshme, me propozimin dhe votat e mazhorancës në Kuvend.
Socialistët po e çojnë deri në fund kërkesën e shefit të tyre politik për të reduktuar numrin e njësive vendore, jo në mënyrë drastike, por pak më të moderuar. Sipas burimeve, në zgjedhjet lokale të vitit 2027 nuk do të shkojnë më shumë se 50 bashki.
Sipas raportit të analizës së ekspertëve të socialistëve, janë 14 njësi vendore më të rrezikuara sipas kriterit ekonomik, financiar, funksional dhe demografik. Qarqet më të prekura janë Gjirokastra, Berati, Elbasani, Shkodra, Fieri, por nuk përjashtohet as Tirana.
Pavarësisht llogaritjeve territoriale dhe elektorale të të majtëve, 3 bashki minoritare, edhe pse me tregues shumë të dobët, nuk mund të preken. Në dokumentin e ekspertëve identifikohen rastet që kërkojnë trajtim të veçantë për shkak të identitetit historik, kulturor, pakicave kombëtare ose kërkesave të ngritura gjatë dëgjesave publike.
Për të kyçur disa bashki, socialistët kanë hasur në disa vështirësi, distanca e largët e disa qyteteve me qendrat apo ato fqinje. Raporti veçon në mënyrë të posaçme Tropojën, Fushë Arrëzin dhe Himarën, duke shkruar që për këto zona sfida kryesore nuk është domosdoshmërisht ndryshimi i kufijve administrative.
Mazhoranca do të presë deri më 23 korrik opozitën, në rast të kundërt deri në fillim të tetorit ata duhet të sigurohen që të mos ketë asnjë rrjedhje votash për të garantuar 84 kartonat jeshil të nevojshëm. /et
