Last Updated on 17/07/2026 by EL
Aktivistja dhe ish-anëtarja e Kuvendit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Evi Kokalari, ka komentuar përmes një postimi në Facebook zgjedhjet e brendshme në PD, duke deklaruar se po përgatitet terreni që Argita Malltezi, vajza e Sali Berishës, të marrë drejtimin e partisë.
Sipas Kokalarit, Flamur Noka ka vetëm një detyrë si sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike: të përgatisë ardhjen e Argita Malltezit në krye të PD-së.
“Flamur Noka ka një detyrë shumë të rëndësishme si sekretar partie: sjelljen e Argitës si kryetare të PD-së. Ajo nuk ka asnjë kontribut, përveç menaxhimit të lidershipit të PD-së (ajo solli Bashën) dhe biznesit familjar, për të cilin po bëhet kjo luftë“, shkruan ajo në postimin e saj.
Po ashtu, Kokalari ka bërë edhe një paralajmërim të fortë, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta rikthejnë shumë shpejt vëmendjen drejt Shqipërisë.
Postimi i plotë i Kokalarit:
Kryesia e PD-së është riformatuar dhe po bëhet gati për Argita Malltezin si kryetare.
Kushdo që, sipas “zgjuarsisë” së Malltezit, shihet si burim konflikti në të ardhmen, është larguar. Kryesia është dominuar nga shokët e ngushtë të Shkëlzen Berishës, nja dy superhipokritë e servilë, si dhe disa personazhe që nuk kanë kapacitet debati dhe që abuzimin me të drejtat e demokratëve e kanë pranuar si fakt të mirëqenë dhe si normalitet.
Sigurisht, nuk mungon partnerja në korrupsion e Argitës, Albana Vokshi. Flamur Noka ka një detyrë shumë të rëndësishme si sekretar partie: sjelljen si kryetare të PD-së të Argitës, e cila nuk ka asnjë kontribut, përveç menaxhimit të lidershipit të PD-së (ajo solli Bashën) dhe biznesit familjar, për të cilin e bëjnë këtë luftë.
Këlliçin edhe ata e njohin mirë se çfarë mashtruesi është, prandaj e kanë lënë nënkryetar dhe jo pjesë të kryesisë; pra, që ta heqin kollaj nesër, pasi nuk ka asnjë tagër në PD. Dy nënkryetarët e tjerë janë kukulla dhe jo pak qesharakë, por kjo është një temë tjetër.
Xhozi, bashkë me të tjerët, janë hequr sepse nuk i pëlqejnë Malltezit, e cila përzgjedhjet i bën në bazë të pasigurive dhe komplekseve që ka vetë ajo.
E përsëris: gjërat mund të vonojnë pak, sepse në SHBA kemi luftërat tona për të përfunduar. P.sh., siç ishte manipulimi i votës në zgjedhjet e vitit 2020, që la shumë pasoja për republikanët, dhe Presidenti Trump sapo ka publikuar të gjitha dokumentet mbi ato manipulime. Po ashtu, luftërat në Iran dhe Ukrainë kanë ndërlikuar shumë situatën. Por mos bëni asnjë gabim: në një moment sytë do të jenë te Shqipëria, atëherë kur nuk e prisni fare.
Dhe Argitën e mirëpres, sepse haqet e Sali Berishës, në moshën që është ai, ju të dy do t’i merrni përsipër, dhe me të dy kam parasysh Argitën dhe Shkëlzenin. Në fund të fundit, vjedhjen masive që babai juaj i bëri Shqipërisë dhe çdo bashkëkombësi, duke mos ua kthyer pronat por duke i privatizuar ato për ju dhe miqtë tuaj dhe duke abuzuar me të drejtat individuale, duke filluar me të drejtën e votës, ju do ti paguani.
Dhe ky është premtim dhe mision.
Yours truly,
