Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme po shton rrezikun e një vale të re inflacioni të importuar edhe në Shqipëri. Ekspertët paralajmërojnë se ekonomia shqiptare mbetet veçanërisht e ekspozuar, për shkak të deficitit të lartë tregtar, varësisë së madhe nga importet ushqimore dhe dobësive të prodhimit vendas. Ata rekomandojnë masa me ndërhyrje fiskale, përfshirë ulje të përkohshme të taksave.
Në këto rreth 12 ditët e para të luftës në Lindjen e Mesme, shqiptarët po e blejnë naftën në tregun e pakicës 10 deri në 13% më shtrenjtë krahasuar me periudhën para fillimit të konfliktit. Çmimi i shitjes me pakicë nga 175 lekë për litër ka arritur në nivelet 193 lekë për litër (ndërsa për disa ditë rresht, nafta u tregtua me rreth 200 lekë për litër).
Nëse çmimet e naftës në bursën e Londrës do të arrijnë në 150 USD për fuçi, për shkak të përshkallëzimit, zgjatjes së konfliktit dhe mbajtjes së mbyllur të kanalit të Hormuzit, kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve të Shqipërisë, Luigj Aliaj, llogarit se çmimi në tregun e pakicës do të arrijë në rreth 260 lekë për litër. Kjo do të thotë një rritje prej rreth 49% krahasuar me çmimin para fillimit të luftës.
Përveç shtrenjtimit të naftës dhe rritjes së tarifave të transportit, në tregun vendas pritet të ketë edhe rritje të çmimeve të produkteve ushqimore.
Kompanitë importuese dhe paketuesit e produkteve ushqimore paralajmërojnë se, nëse kriza vazhdon, brenda një-dy muajve në tregun e pakicës mund të nisë rritja e çmimeve të ushqimeve.
Sipas tyre, në tregjet e huaja nga ku furnizohen kompanitë shqiptare ka nisur tashmë rritja e çmimeve për vajin e lulediellit dhe për ambalazhin plastik. Kjo lidhet me rritjen e kostove të transportit dhe me pasigurinë e furnitorëve për të garantuar furnizimin, pasi shumë vende, fillimisht po përpiqen të sigurojnë rezervat e tyre.
Për disa produkte është bërë edhe rishikim i kontratave të çmimeve, çka mund të reflektohet në një rritje të mëtejshme të çmimeve në tregun vendas, pas disa muajsh.
“Në tregjet e huaja është vërejtur rritje e çmimeve, sidomos për lëndët plastike që kompanitë importuese i përdorin si lëndë të parë për paketim, si edhe shtrenjtim i vajit të lulediellit.
Pritet që të ketë rritje edhe për produkte të tjera të shportës ushqimore, për të cilat tashmë janë dhënë sinjale nga furnitorët ndërkombëtarë.
Megjithatë, deri tani, kompania nuk ka kryer furnizime të reja, pasi aktualisht po përdorin rezervat ushqimore që mbajnë për çdo produkt. Këto rezerva krijohen për të përballuar situata të mundshme si vonesa në transport, prishje kontratash apo probleme të tjera në furnizim, me qëllim garantimin e vazhdimësisë së mallrave në treg.
Kjo është një praktikë që zbatohet vazhdimisht për të menaxhuar me efikasitet zinxhirin e furnizimit.
Për këtë arsye, në këtë moment nuk pritet rritje e menjëhershme e çmimeve në tregun vendas. Rezervat e produkteve, në varësi të artikullit, mund të mbulojnë nga një deri në dy muaj shitje në treg”, shpjeguan në anonimitet për “Monitor” drejtues të një prej kompanive më të mëdha importuese dhe paketuese e mallrave ushqimorë.
Për ekspertët e ekonomisë, varësia e lartë e ekonomisë nga furnizimet me produkte ushqimore nga importet, qoftë për përpunim, paketim apo konsum direkt, i bëjnë pothuajse të pashmangshme efektet ndaj ndikimeve të jashtme. Sipas tyre, efektet e rritjes së çmimeve të ushqimeve ndërkombëtare pritet të reflektohen shumë shpejt në ekonominë vendase, duke shkaktuar ndikim të menjëhershëm në sektorin e konsumit, por edhe në rritjen e kostove të prodhimit.
Sipas ekspertit të ekonomisë Arben Malaj, rritja e çmimeve të karburanteve dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare pritet të transmetohet gradualisht edhe në ekonominë shqiptare, duke reflektuar efektet e inflacionit të importuar, sidomos për produktet e shportës ushqimore.
Z. Malaj shpjegon se tashmë, ashtu si në krizat e mëparshme, është e vërtetuar që vendet më të prekura nga inflacioni i importuar janë ekonomitë me deficit tregtar, përfshirë edhe Shqipërinë.
“Patjetër që do të ketë shtrenjtim të ushqimeve, por vala goditëse dhe përmasat e inflacionit të importuar kanë dinamikën e tyre. Është e vërtetuar në analizat e krizave të mëparshme se vendet e vogla me deficite të mëdha tregtare janë viktimat e lehta të inflacioneve të larta të importuara. Ndonëse aktualisht nuk jemi në përmasat e krizave të tjera, situata imponon një monitorim të kujdesshëm nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë”, nënvizon ndër të tjera z. Malaj.
Revista Monitor/kb
