Last Updated on 09/06/2026 by Monika
Vllaznia ka rinisur stërvitjet nën drejtimin e Edi Martinit për t’u përgatitur për turet kualifikuese të Conference League.
Seanca e parë stërvitore nisi me grupin e reduktuar ku mungonin shumica e titullarëve, me përjashtim të lojtarëve si Dros dhe Pusi.
Në këtë fazë fillestare, stafi teknik do të aplikojë një regjim të lehtë stërvitor për të rikthyer lojtarët në formë pas pushimeve të shkurtra që pasuan mbylljen e sezonit më 31 maj. Ndërkohë, klubi po shqyrton mundësinë e zhvillimit të fazës kryesore përgatitore në Slloveni ose Bullgari, ku planifikohen edhe ndeshje miqësore.
Krahas përgatitjes në fushë, drejtuesit e Vllaznisë po punojnë në merkato me objektivin për të ruajtur bërthamën e ekipit dhe për të afruar elementë të rinj për përballjet në Europë.
Nisja e parakohshme e përgatitjeve tregon rëndësinë që ka Conference League për sezonin e Vllaznisë./mxh
