Nga Leonard Veizi
“Zot, më ndihmo ta mbaj gojën mbyllur kur s’kam gjë për të thënë”. Faik Konica e kishte kuptuar herët një të vërtetë që sot duket se na mungon krejt: jo çdo mendim meriton të thuhet. Po të ishte gjallë sot, ai do të përballej me një realitet absurd, ku vetëpërmbajtja, maturia dhe heshtja do të shpalleshin si cenim i lirisë së shprehjes.
Sepse kemi bërë një përmbysje të rrezikshme. Nuk kërkojmë më të dimë për të folur, por kërkojmë të flasim pa ditur. Nuk na shqetëson boshllëku i mendimit, por heshtja që e zbulon atë. Dhe kështu, fjala nuk është më mjet komunikimi, por një mënyrë për të fshehur mungesën e përmbajtjes.
Një fabul e famshme e Ezopit na kujton se gjuha është njëkohësisht gjëja më e mirë dhe më e keqe në botë. Kur përdoret mirë, ajo shpreh dashuri, përçon dije dhe ndërton marrëdhënie; kur përdoret keq, përhap gënjeshtra, urrejtje dhe shkatërrim. Mesazhi është i thjeshtë: fjala është mjeti më i fuqishëm i njeriut. Mund të krijojë, por edhe të rrënojë.
Që nga koha e Ezopit, kjo e vërtetë dihet. Por ne kemi zgjedhur variantin më të keq të saj. E kemi kthyer gjuhën në armë të përditshme. Në vend që të ndërtojë ura, ajo shkatërron; në vend që të sqarojë, helmon; në vend që të lidhë, ndan.
Nuk flasim për të komunikuar, por për të mbushur një zbrazëti të brendshme. Nuk debatojmë për të kuptuar, por për të fituar. Nuk dëgjojmë për të mësuar, por për të gjetur momentin kur të ndërpresim tjetrin. Dhe kur përballë kemi dikë që di, reagimi ynë nuk është respekti, por bezdia. Ndërsa kur dëgjojmë veten duke folur pa fund, ndiejmë një krenari të pashpjegueshme.
Ironia bëhet edhe më e rëndë kur kjo zhurmë pa filtër përplaset me realitetin. Shoqëria nuk është laborator ku gjithçka tolerohet pa kosto. Kur fjala kthehet në shpifje, në fyerje, në helm, ajo prodhon pasoja. Dhe atëherë ndodh transformimi i menjëhershëm: nga autorë të zhurmës, kthehemi në viktima të saj.
Se jeta na ka mësuar se kur i jep llapës shumë, ajo të kthehet pas në dajak aq sa të thyen kërbishten.
Këtu qëndron hipokrizia më e madhe. Kërkojmë të drejtën për të thënë gjithçka, por refuzojmë detyrimin për të mbajtur përgjegjësi për atë që themi. Flasim për liri fjale, por në të vërtetë kërkojmë liri nga çdo filtër, nga çdo kufi, nga çdo standard. Dhe kjo nuk është liri. Është anarki verbale.
Problemi nuk është te fjala. Problemi është te mënyra si e përdorim. Një shoqëri që e përdor gjuhën si thikë nuk mund të presë paqe. Një shoqëri që e zëvendëson argumentin me zhurmën nuk mund të prodhojë mendim. Dhe një shoqëri që ngatërron lirinë me mungesën e përgjegjësisë është e destinuar të mbetet peng i vetvetes.
Heshtja nuk është dobësi, as mungesë mendimi. Përkundrazi, është formë e lartë e inteligjencës dhe e vetëkontrollit. Por ne kemi zgjedhur të kundërtën: të jemi pengje të zërit tonë, duke harruar se një shoqëri që e përdor gjuhën vetëm si armë, në fund përfundon e plagosur nga vetë fjalët e saj.
Konica kishte të drejtë: ndonjëherë, shërbimi më i madh që mund t’i bëjmë shoqërisë dhe vetes është të mbyllim gojën dhe të vëmë në punë trurin. Por kjo mbetet një sakrificë që shoqëria jonë ende nuk është gati ta bëjë.
