Nga Leonard Veizi
Ka një qetësi të rreme që rëndon mbi raftet e pluhurosura. Në dhomën ku librat heshtin, mendimi ftohet si prush i fikur. Nuk dëgjohet zhurmë hekuri, as kërcitje flake, as klithmë ndalimi — vetëm heshtje. Dhe kjo është mënyra më e rafinuar për të mbytur një kulturë: jo me zjarr, por me harresë. Jo me dhunë, por me mospërfillje.
Në këtë realitet të zbehtë, tingëllon sërish zëri i Rej Bredbërit, si një kambanë në mes të një qyteti të përgjumur:
“Nuk ka nevojë të djegësh libra për të shkatërruar një kulturë. Mjafton t’u thuash njerëzve të mos i lexojnë.”
Në këtë fjali lakonike, Bredbëri çmonton me gjakftohtësi iluzionin se kultura zhduket vetëm nën goditjen e censurës apo dhunës institucionale. Në të vërtetë, më e rrezikshme se djegia fizike e librave është harrimi i tyre. Harresa është një zjarr i heshtur që përhapet më thellë dhe zgjat më shumë. Ndryshe nga censura klasike, që e bën librin më të dëshirueshëm, harresa e bën atë të padukshëm.
Te “Fahrenheit 451”, Bredbëri përshkruan një botë distopike ku librat ndalohen dhe digjen nga “zjarrfikës” të kthyer në roje ideologjikë. Por kjo skenë e zymtë është vetëm metaforë: ajo që e trembte më shumë nuk ishte djegia, por zbrazja e mendjes, shndërrimi i qytetarëve në konsumatorë pasivë të spektaklit dhe informacionit të shpejtë.
Sot, kjo fabul tingëllon më aktuale se kurrë. Librat nuk digjen më në sheshe. Thjesht nuk hapen. Nuk përndiqen nga pushteti, por braktisen nga vetë shoqëria. Nuk ndalohen, por shpërfillen. Dhe kjo shpërfillje nuk vjen nga ndonjë urdhër autoritar. Vjen me miratimin tonë të heshtur.
Nëse dikur duhej një inkuizicion për të djegur librin, sot mjafton një klikim për ta shmangur. Shkollat nuk janë më vende leximi, por pika grumbullimi informacioni të skematizuar. Mediat i zëvendësojnë analizat me tituj sensacionalë. Rrjetet sociale promovojnë një komunikim të menjëhershëm, por pa thellësi. Dhe ndërkohë, një brez i tërë rritet pa e përjetuar magjinë e një faqeje të lexuar me zë në një dhomë të heshtur.
Bredbëri nuk ishte i vetmi që e paralajmëroi këtë apati kulturore. Xhorxh Oruelli, te “1984”, parashikoi një shoqëri të shtypur nga një regjim që manipulon gjuhën dhe historinë për të kontrolluar mendimin. Oldos Haksli (Aldous Huxley), te Brave New World, përfytyroi të kundërtën: njerëz që nuk ndalohen të lexojnë, por thjesht nuk kanë më nevojë për libra, sepse janë dehur me argëtim.
Në këtë drejtim, Haksli dhe Bredbëri janë më profetikë se Oruelli: ata parashikuan jo vetëm forcën e censurës, por edhe fuqinë e indiferencës.
Kultura nuk është thjesht një koleksion librash në rafte. Ajo është kujtesa e një kombi, vetëdija e një shoqërie, burimi i mendimit të lirë dhe i shpirtit kritik. Librat janë enët ku ajo ruhet. Kur këto enë mbeten bosh, sepse askush nuk i hap, kultura zbrazet dalëngadalë. Pa britma. Pa revolucion. Pa asnjë flakë që të na zgjojë.
Zbrazet në heshtje. Dhe në vend të qytetarisë vjen nënshtrimi; në vend të dijes, manipulimi; në vend të fjalës, slogani.
Prandaj paralajmërimi i Bredbërit duhet lexuar si thirrje: nëse do të mbrosh kulturën tënde, mos e kërko vetëm te monumentet, simbolet apo fjalimet patriotike. Kërkoje te faqja e librit. Te një roman. Te një poezi. Te një ese. Te një faqe e nënvizuar me dorë.
Sepse përballë harresës, leximi është akti më i thjeshtë dhe më revolucionar. Është zjarri që nuk shkatërron, por ndriçon. Siç thoshte vetë Bredbëri:
“Ti nuk e ke jetuar ditën nëse nuk ke lexuar diçka të mirë.”
