Më 19 korrik 1941 kryeministri britanik ngriti dy gishtat lart duke vizatuar gërmën “V”
Nga Leonard Veizi
Në vitin 1941, në një nga çastet më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, një gjest i thjeshtë me dy gishta u shndërrua në një nga simbolet më të fuqishme politike të shekullit XX. Kryeministri britanik Uinston Çërçill ngriti dorën e djathtë dhe formoi shkronjën V, duke e shoqëruar me fjalën “Victory” – “Fitore”.
Ky gjest nuk ishte vetëm një shenjë optimizmi; ai ishte një akt politik dhe psikologjik. Në thelbin e tij, ai dëshmonte një të vërtetë që mbetet aktuale edhe sot: liria nuk mbrohet vetë. Ajo kërkon vullnet, kurajë dhe një shoqëri që refuzon të gjunjëzohet para tiranisë. Çërçill e kuptoi se një fitore ushtarake pa një fitore morale ishte e pamundur.
Në ditët kur Britania ishte ende nën kërcënimin e pushtimit gjerman, kur qytetet britanike goditeshin nga bombardimet e forcave ajrore gjermane dhe kur pjesa më e madhe e Evropës ndodhej nën kontrollin e Gjermanisë naziste, Çërçill përdori çdo mjet për të mbajtur gjallë besimin te fitorja. Fjalimet e tij kishin një qëllim të vetëm: t’u tregonin qytetarëve të lirë se lufta për demokraci nuk është kurrë e humbur, sado i madh të duket armiku.
E lindur nga nevoja për qëndresë
Në fillim të vitit 1941, Britania ndodhej në një situatë pothuajse të vetmuar. Franca kishte rënë nën pushtimin gjerman, Shtetet e Bashkuara ende nuk ishin futur në luftë, ndërsa Evropa kontinentale ishte kryesisht nën kontrollin e nazizmit.
Në këtë atmosferë të pasigurisë, propaganda dhe simbolika nuk ishin thjesht mjete komunikimi, por armë morale të një lufte ekzistenciale. Çërçill e kuptonte se një komb nuk lufton vetëm me tanke, avionë dhe ushtarë, por edhe me besimin e tij te vlerat që mbron.
Një popull i demoralizuar mund të humbasë para se të mposhtet në fushën e betejës.
Shenja V u shfaq publikisht nga Çërçill në korrik të vitit 1941 dhe u bë shpejt pjesë e identitetit të tij politik. Në fakt, ideja e përdorimit të shkronjës V si simbol i rezistencës ndaj nazizmit kishte lindur më herët nga Victor de Laveleye, ish-ministër belg dhe drejtues i BBC-së në gjuhën frënge, i cili në janar 1941 u bëri thirrje evropianëve të përdornin shkronjën V si shenjë të fitores dhe lirisë.
Çërçill e përqafoi këtë simbol dhe e shndërroi në një mesazh global.
Në disa raste të para ai e bëri shenjën me pëllëmbën nga vetja, një gjest që në traditën britanike konsiderohej fyes. Këshilltarët e tij i sugjeruan ta kthente pëllëmbën nga publiku, mënyra që më pas u bë forma e njohur e shenjës V.
“V” në Evropën e pushtuar
Shenja nuk mbeti vetëm një simbol britanik. Ajo u përhap në të gjithë Evropën si një akt i heshtur rezistence kundër pushtimit nazist.
Në Belgjikë, Francë, Holandë, Norvegji dhe vende të tjera të pushtuara, njerëzit filluan të vizatonin shkronjën V në mure, gazeta dhe vende publike. Ajo kishte një kuptim të dyfishtë: Victory – fitorja në anglisht, dhe Victoire apo Vrijheid – fitorja dhe liria në gjuhët franceze dhe holandeze.
BBC-ja e përdori gjithashtu këtë simbol në transmetimet e saj për Evropën e pushtuar. Në kodin Morse, shkronja V përfaqësohet me tre pika dhe një vijë (…-), që përkonte edhe me hyrjen e Simfonisë së 5-të të Bethovenit. Dhe ishte ky një ritëm që u bë mesazh i fshehtë për miliona dëgjues: rezistenca vazhdon.
Ishte një dëshmi se fjala e lirë, edhe kur transmetohet nga larg dhe dëgjohet fshehurazi, mund të jetë më e fortë se propaganda e një regjimi totalitar.
Çërçill dhe morali i demokracisë
Për Çërçilli-in, shenja V ishte më shumë se një pozë fotografike. Ajo lidhej me vendosmërinë për të mos negociuar lirinë.
Fjalimi i tij i 4 qershorit 1940, pas evakuimit të Dunkirk-ut, ku premtoi se Britania do të luftonte “në plazhe, në fusha dhe në rrugë”, krijoi mitin e rezistencës britanike.
Dy gishta të ngritur lart kundër një regjimi që synonte dominimin mbi kontinentin evropian ishin një kujtesë e fuqishme: demokracia nuk është thjesht një marrëveshje politike, por një vlerë që kërkon mbrojtje edhe në momentet më të vështira.
Pas fitores së aleatëve në vitin 1945, fotografia e Çërçill-it me shenjën V u bë një nga imazhet më të njohura të shekullit. Ajo nuk simbolizonte vetëm humbjen e nazizmit, por edhe provën historike se shoqëritë demokratike, kur janë të bashkuara, mund t’i rezistojnë tiranisë.
Sprova e dytë e lirisë
Pas vitit 1945, bota hyri në një tjetër përballje të madhe: Luftën e Ftohtë mes Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik.
Në këtë periudhë, shenja V mori një kuptim të ri. Ajo nuk ishte më vetëm simbol i fitores ushtarake, por edhe i mbrojtjes së vlerave demokratike: lirisë së shprehjes, zgjedhjeve të lira, të drejtave individuale dhe shtetit të së drejtës.
Në vendet e Evropës Lindore, ku regjimet komuniste kufizonin rëndë liritë politike, çdo simbol i ardhur nga bota demokratike mund të merrte një kuptim kundërshtues. Shenja V u lidh me shpresën për ndryshim dhe me dëshirën për rikthimin e lirive politike.
Në fund të viteve 1980, gjatë rënies së regjimeve komuniste në Evropë, ajo u shfaq sërish në protesta dhe tubime popullore. Ishte i njëjti simbol i vitit 1941, por tashmë i përdorur kundër një forme tjetër autoritarizmi.
Një simbol që e kaloi Çërçill-in
Me kalimin e kohës, shenja V u shkëput nga figura e Çërçill-it dhe u bë universale. Ajo është përdorur nga politikanë, aktivistë dhe qytetarë të zakonshëm në shumë vende të botës.
Por origjina e saj na kujton se ajo nuk lindi si një gjest fotografik. Ajo lindi si një betim i një epoke të rrezikuar: se liria nuk është një dhuratë e përhershme, por një vlerë që duhet mbrojtur.
Nga një gjest i bërë në vitin 1941 për të thënë “do të fitojmë”, shenja V u shndërrua në një nga mesazhet më të fuqishme të shekullit XX: popujt që mbrojnë lirinë, edhe kur janë të vetmuar dhe kur duken të humbur, mund t’i rezistojnë forcave më të mëdha të shtypjes.
Dy gishta të ngritur lart mbeten një kujtesë vizuale se pa kurajë qytetare, nuk ka demokraci.
