Nga Sejdin Cekani
Kam shkruar edhe herë të tjera për një “zanat” të ri që ka lulëzuar vitet e fundit, por që vështirë se mund të emërtohet si i tillë. Bëhet fjalë për disa të vetëquajtur përkthyes, të cilët janë gjithnjë të gatshëm të “përkthejnë” për përkthyes të tjerë.
Në të vërtetë, ata mund t’i quash argatë të përkthimit. Ndonëse me njohuri të cunguara në një gjuhë të huaj dhe zotërim të mjerueshëm të shqipes, ata hyjnë në një treg që, fatkeqësisht, i mirëpret. Kjo ndodh ngaqë ndonjë (në mos qofshin disa) përkthyes që kanë botuar një apo dy libra, nuk duan më të përballen me vështirësinë e këtij profesioni dhe ua “delegojnë” punën këtyre mëditësve për një përqindje të caktuar të pagesës që marrin nga botuesit.
Më shqetësues është fakti se në këtë praktikë janë përfshirë edhe disa përkthyes me emër, të cilët duket se e kanë zëvendësuar përgjegjësinë profesionale me leverdinë financiare. Emri i mirë, i ndërtuar ndër vite, shpërdorohet lehtësisht për përfitim të shpejtë.
Si të mos mjaftonte kjo, edhe “argatët” shpesh e kanë thjeshtuar më tej procesin e punës së tyre. “Përkthimet” ata i kryejnë me mjete automatike, si Google Translate, duke i lënë tekstet në një gjendje që shpesh është qesharake, por në thelb alarmante.
Mjafton të lexosh disa faqe në ndonjë libër të këtij lloji, për ta kuptuar menjëherë masakrën e këtyre përkthimeve: fjalë të papërshtatshme për kontekstin, struktura sintaksore të huaja, kompozita jashtë natyrës së shqipes, si dhe inflacion i fjalëve të huaja. Ndërkaq, përdorimi i tepruar dhe i panevojshëm i përemrave vetorë e pronorë e bën tekstin të rëndë dhe të bezdisshëm, ndërsa përkthimet e fjalëpërfjalshme shpesh e shkatërrojnë kuptimin.
Shembujt janë të panumërt dhe, shpesh, tronditës në absurditetin e tyre:
“Ajo e kishte parkuar gishtin tregues tek zilja.”
“Në veturë ishte ulur në karrigen e shoferit.”
“Prania e saj kishte shkaktuar disa ngritje çuditërie vetullash.”
“E la mendjen të endej në gjendjen e vëmendjes së qetë.”
E kështu me radhë, një varg formulimesh që nuk i përkasin natyrës së shqipes.
Në këtë “epokë të artë” të përkthimit, përkthyesi i vërtetë është kthyer në një specie në zhdukje. Në vend të tij, tregun e kanë pushtuar disa figura hibride që janë plotësisht të gatshme për të marrë përsipër çdo libër, madje dhe nga autorë të huaj të shquar.
Natyrisht, nuk mungojnë përkthimet cilësore dhe përkthyesit e përkushtuar, të cilët e trajtojnë këtë punë si art dhe si përgjegjësi kulturore. Po ashtu, ka edhe shtëpi botuese që përpiqen të ruajnë standardet profesionale në përzgjedhjen e përkthyesve dhe në procesin e botimit.
Por realiteti tjetër është shqetësues: shumë botues e shohin përkthimin thjesht si një mjet fitimi, duke ia kthyer shpinën cilësisë dhe profesionalizmit. Në këtë mënyrë, përgjegjësia për degradimin e gjuhës bie pikërisht mbi ta.
Kur përkthimi nuk vlerësohet si art më vete, por si punë angari, rezultatet janë të pashmangshme: libra që mbushin raftet, por varfërojnë gjuhën.
Për çdo njeri që shqipen e vlerëson vërtet si pasuri, kjo situatë është njëkohësisht dëshpëruese dhe revoltuese.
