Last Updated on 17/02/2026 by Monika
Një fotografi që duket si skenë nga një film fantastiko-shkencor ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe ka ngritur pikëpyetje për përdorimin e inteligjencës artificiale. Në të vërtetë, imazhi i kapur në shkretëtirën Namib është rezultat i një momenti të rrallë natyror: një gjirafë që kalon mbi dunat e rërës përballë një hëne të plotë rozë. Autori, fotografi i natyrës Kyle Goetsch, u detyrua të vraponte drejt pozicionit ideal vetëm pak sekonda përpara se kafsha të kalonte në vijën e kornizës.

Fotografia, e cilësuar nga shumë shikues “tepër perfekte për të qenë reale”, u realizua gjatë një workshopi fotografik me klientë në terren. Fillimisht plani ishte kapja e hënës mbi një pemë në majë dune, por afrimi i papritur i gjirafës ndryshoi gjithçka. Sipas Goetsch, momenti zgjati vetëm pak çaste, mjaftueshëm për të realizuar një seri shkrepjesh që ai i konsideron ndër më të mirat e karrierës.
I diplomuar për biokimi, fotografi nga Afrika e Jugut braktisi laboratorin për aparatin fotografik në vitin 2018 dhe u fokusua te astrofotografia. Popullaritetin e fitoi pasi një foto e Rrugës së Qumështit mbi një majë mali në Kejp Taun u bë virale, rezultat i pesë viteve pritjeje për kushtet e duhura atmosferike dhe astronomike. Prej atëherë ai organizon ture dhe trajnime për fotografë të rinj, duke promovuar qiellin e errët të Afrikës Jugore si një nga destinacionet më të mira në botë për fotografi nate.
Strategjia kombëtare e turizmit astronomik dhe mungesa relative e ndotjes nga dritat po e kthejnë rajonin në qendër ndërkombëtare për vëzhgim të yjeve. Goetsch synon ta shfrytëzojë këtë potencial përmes projekteve të reja vizuale, duke theksuar se bukuria e qiellit të hemisferës jugore mbetet ende pak e njohur për publikun global./mxh
