Në vitin 2024, rreth 80% e njoftimeve për punë në Shqipëri nuk kërkonin diplomë universitare. Ky fakt ka ngjallur debat se çfarë tregon realisht kjo shifër: një treg pune të përqendruar tek profesionet e thjeshta, apo një transformim të logjikës së punësimit që po ndodh paralelisht me trendet globale? Për ta kuptuar këtë fenomen, duhet parë si struktura e ekonomisë, ashtu edhe marrëdhënia e re mes arsimit dhe tregut të punës.
Së pari, struktura ekonomike e Shqipërisë mbetet ende e dominuar nga sektori i shërbimeve, veçanërisht turizmi, tregtia, transporti dhe industria e call center-ave. Këto industri ofrojnë pozicione që zakonisht kërkojnë aftësi operative, komunikim dhe fleksibilitet, por jo domosdoshmërisht arsim të lartë. Kjo e shton numrin e vendeve të punës ku diploma universitare nuk është kriter formal. Në shumë raste, punëdhënësit fokusohen më shumë tek gatishmëria për punë, oraret e zgjatura dhe angazhimi sezonal sesa tek kualifikimet akademike.
Së dyti, një pjesë e këtij realiteti nuk duhet ngatërruar me trendin global që po relativizon rolin e universitetit. Në shumë vende të zhvilluara, rënia e kërkesës për diplomë erdhi si rezultat i fokusit tek aftësitë digjitale, certifikimet profesionale dhe talenti i verifikuar në praktikë. Por në kontekstin shqiptar, heqja e kërkesës për arsim të lartë shpesh buron nga mungesa e vendeve të specializuara dhe nga struktura ekonomike që ende nuk prodhon mjaftueshëm profesione të avancuara teknologjikisht. Pra, nuk është domosdoshmërisht shenjë e një revolucioni modern, por e një stanjacioni të ekonomisë drejt profesioneve me kërkesa të ulëta kualifikimi.
Megjithatë, Shqipëria nuk është tërësisht jashtë epokës së re të punës. Po shfaqen sektorë të rinj: IT, shërbimet financiare, startup-et, si dhe profesione të pavarura online, të cilat kërkojnë aftësi të specializuara që shpesh nuk lidhen drejtpërdrejt me diplomën, por me kompetencat praktike. Ky segment, edhe pse në rritje, është ende shumë i vogël për të tërhequr statistikat kombëtare të tregut të punës. Kjo e bën Shqipërinë një vend “me dy shpejtësi”: një ekonomi tradicionale që dominon tregun dhe një ekonomi moderne që rritet në periferi të tij.
Përfundimisht, fakti që 80% e vendeve të punës nuk kërkojnë arsim të lartë tregon më shumë për strukturën e varfër të ekonomisë sesa për një evoluim të rolit të universitetit. Shqipëria rrezikon të humbasë potencialin e brezit të arsimuar nëse nuk krijon industri të specializuara, kërkim-shkencor dhe inovacion që të absorbojë kapitalin njerëzor. Ndryshe, vendi mund të mbetet në paradoks: shumë universitete, shumë të diplomuar, por pak punë që kërkojnë vërtet dije të larta. m.p.
