Socialisti Erion Braçe ka reaguar në emisionin “Top Story”, pak ditë pasi shprehu publikisht dëshirën për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, duke sqaruar qëndrimin e tij dhe motivet pas këtij vendimi.
“Nuk kam marrë leje askund. Kanë qenë qëndrime shumë të qarta ideologjike. Aspekti social ka qenë po kaq i rëndësishëm që duhet të ketë vija ndarëse”, u shpreh ai, duke theksuar se vendimet e tij janë personale dhe të bazuara në bindje të forta politike.
Braçe u ndal edhe te raporti me Partinë Socialiste dhe mënyra e funksionimit të saj, duke nënvizuar se nuk e pëlqen etiketimin si “senator i PS-së”. “Unë jam thjesht deputet i PS-së, u bënë shumë vite. Për pak javë bëhen 30, por i zgjedhur jo i emëruar,” tha ai.
Ai shtoi se nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë leje për qëndrimet e tij, duke lënë të kuptohet se ato janë të drejta dhe në përputhje me interesat e qytetarëve. Sipas tij, edhe brenda PS-së ka pasur zëra të tjerë që kanë ngritur shqetësime të ngjashme.
Braçe theksoi se diskutimet nuk kanë nisur në media, por brenda strukturave të partisë, konkretisht në Asamblenë e PS-së në njësinë 5 në Tiranë, ku ai mban përgjegjësi. Ai u shpreh se ka inkurajuar anëtarët të flasin hapur për problemet dhe shqetësimet e tyre.
“Gjëja nuk ka nisur në media, apo ambiente të tjera, ka nisur në Asamblenë e PS-së, në njësinë 5, nën përgjegjësinë time. Në atë Asamble jam munduar të ushqej njerëzit të flasin, jo të flas unë dhe ata të dëgjojnë. Kam lëvizur gjatë janë në mbledhjet e asamblesë së PS-së në Tiranë, më vjen keq që nuk gjej të njëjtën mënyrë ose ndjesi për të folur, por në njësinë 5 ishte një sallë e tërë që ngriti shqetësimin.
Atje kam thënë shumë qartë, që janë dy arsye që më shtyjnë ta bëj këtë. Partia duhet të zgjedhë një formë vendimmarrjesh”, u shpreh Braçe.
Në fund, ai shpjegoi edhe arsyet kryesore që e shtyjnë drejt kandidimit: nevoja për një mënyrë më funksionale vendimmarrjeje brenda partisë dhe shmangia e një modeli që, sipas tij, e redukton partinë në një strukturë formale pa debat.
“Partia nuk mund të kthehet në një mur ku ngjiten njoftime. Partia nuk mund të funksionojë kështu sepse mund të vijë një ditë kur në atë mur të varet një njoftim tjetër, ajo e fundit të partisë. Unë nuk e dua këtë”, u shpreh Braçe.
