Shqiptarët sot nuk po gjejnë as kishë, as xhami, ku t’i falen drejtësisë dhe të shprehin indinjatën e tyre. Sheshet i ka zënë opozita me turne. Secili për vete, Shqipëria për askënd.
Në një vend normal, kur numri 2 i qeverisë pezullohet nga detyra dhe akuzohet për skandale me fatura dhjetëra milionë euro, pritet tronditje e madhe.
Në Shqipëri?
Asgjë. Qetësi.
Një zgjatim i përhumbur i letargut kolektiv.
Populli shqiptar, i rraskapitur nga skandalet dhe zhgënjimet, i mësuar të marrë ftesë zyrtare kur duhet bërë një protestë, ka ngecur në filxhanin e makiatos. Revolucioni është bërë me kalendar. Ka logo dhe ngjyra, por nuk ka frymë. Ka postime dhe klikime, por nuk ka njerëz në shesh. Protestat janë bërë si dasmat shqiptare të dikurshme, të ndara me ditë dhe me orkestrinë e tyre:
E mërkura, dita e dajave. Agron Shehaj nuk njoftoi dhe as nuk ftoi askënd, por doli me flamujt e partisë së tij dhe nisi avazin tipik me një ceremoni të butë përballë Kryeministrisë.
E enjtja, dita e krushqve. Arlind Qori doli me studentët e tij, kërceu valle ideologjike, pak folklor, pak klasë punëtore dhe… natën e mirë!
E hëna, dita e nuses. Sali Berisha paralajmëron protestën e radhës. Krushqit e vjetër rikthehen, tupanët e dikurshëm bien sërish, edhe pse bateritë kanë filluar të shterojnë.
Populli? Nuk ka kohë të qajë. Është mysafiri i lënduar i dasmave. Pyet veten: “Në cilën të shkoj? Po të shkoj te kjo, mërzitet ajo. Po të shkoj tek ajo, dukem sikur mbaj krahun e atij”.
Një popull i lënë në mjerim, me zarfin në dorë, pa ditur cilës parti t’ia çojë qokën, sepse të gjithë duan të jenë gjela, edhe pse e dinë se në këtë vend ka vetëm pula. Kakarisin, por vetëm kaq.
Opozita është e parcelizuar si tokat tona. Të gjithë duan të jenë pronarë të saj; askush nuk pranon të jetë partner, anëtar apo kontribues. Rezultati? Asnjë protestë nuk bëhet protestë. Sheh 200-300 vetë kuturu, me sytë në qiell, duke u lutur që ndonjë shi i beftë mund t’i justifikojë për t’u larguar më herët.
Pra, bëhen vetëm ceremoni, jo protesta. Në bulevard sheh një ritual përsëritës, sfilitës për syrin. Një lloj dasme qytetare ku nuk martohet askush, por sheh mysafirë duke bërë video. Sheh turma që dalin në shesh jo me zemërim, por me telefonin gati. Qeshin, filmojnë, bëjnë selfie. Marrin një gotë kafe nga kioska përballë. Kalojnë dy orë, bëjnë një story dhe kthehen në shtëpi. “Ka mbaruar protesta”, si dasma kur ndalet muzika, sepse këngëtarin e pret dasma e radhës dhe i duhen ca orë gjumë. “Të shpërndahemi! Kaq ishte programi për sot!”
Dhe kështu, Shqipëria mbetet vendi ku revolucioni nuk vjen me shpërthim, por me një event në Facebook. Dufi popullor nuk ndizet në shesh, por rezervohet me orare.
Njerëzit presin një “notification” dhe pyesin:
Në cilën protestë të shkoj “për nder”?
Cilën ditë duhet të jem “krushk”?
Kujt t’i ulem në “sofër”, se më ka ardhur?
Për një popull që nuk bashkohet kurrë për kauzën, por gjithmonë ndahet për liderin, ka vetëm një traditë: përçarja. Nuk ka nevojë për skenar, organizim a thirrje. Ajo funksionon vetiu. Për sa kohë të kemi protesta si dasma, do të kemi edhe shtet si dasmë: muzikë të lartë, kryesisht tallava, krushqi gjithë kunja dhe një vjehërr që feston për çarçafin e nuses. m.p.
