Drejtori ekzekutiv i kompanisë së madhe të naftës Shell paralajmëron se Evropa mund të zhytet në një krizë të thellë energjetike që muajin e ardhshëm, për shkak të konfliktit në Iran.
Evropa rrezikon të përballet me një krizë të rëndë energjetike që muajin e ardhshëm, për shkak të vështirësive për t’u furnizuar me naftë dhe gaz nga Lindja e Mesme, pas bllokimit nga Irani të Ngushticës së Hormuzit.
Paralajmërimi vjen nga drejtori ekzekutiv i Shell, gjigantit të naftës Wael Sawan, i cili bën thirrje për marrjen e masave të ashpra për përballimin e krizës.
“Garantimi i një furnizimi adekuat është jetik për sigurinë kombëtare, ndaj qeveritë duhet të jenë gati të ndërhyjnë në reduktimin e kërkesës, një hap që duhej marrë që në krizën energjetike të vitit 2022”, tha Wael Sawan, drejtor ekzekutiv i Shell.
Komisioni Evropian, megjithatë, nuk ndryshoi qëndrim dhe la në fuqi ndalimin e plotë të importit të naftës ruse, pavarësisht mungesave në treg. Ky qëndrim bie ndesh me lëvizjen e fundit të administratës Trump, e cila të premten e kaluar hoqi përkohësisht sanksionet ndaj naftës iraniane në det, për të balancuar çmimet globale. Brukseli këmbëngul se rikthimi te varësia ruse do të ishte një gabim strategjik.
Banka Qendrore Evropiane ka bërë thirrje për gatishmëri, duke paralajmëruar se ka gati planin kundër inflacionit. Presidentja Christine Lagarde theksoi se, nëse kriza energjetike vazhdon gjatë, rritja e normave të interesit do të jetë e pashmangshme për të mbrojtur ekonominë./kb
