Last Updated on 13/08/2026 by EL
Nga Salzburgu, ERVIN BAKU

Në një mbrëmje fantastike futbolli europian, për të dytin vit radhazi, në datlindjen e tij të 56-të (themeluar më 12 Gusht 1970), PSG fiton Superkupës e Europës. Edhe këtë herë kundër një ekipi britanik. Në Red Bull Arena të Salzburg-ut (Austri), në prani të 27 681 spektatorëve, skuadra e kryeqytetit francez mundi Aston Villën me rezultatin e ngushtë 2-1.
Fitues i dyfishtë i Ligës së Kampionëve, PSG nuk kishte nevojë këtë herë për seancën e penalltive, siç kishte ndodhur në fitimin e katër nga pesë trofetë e tyre sezonin e kaluar (Superkupa Europiane, Kupa Ndërkontinentale, Trofeu i Kampionëve në Francë dhe Liga e Kampionëve). Për francezët shënuan Khvicha Kvaratskhelia dhe Désiré Doué, ndërsa për britanikët shënoi Brian Madjo.
Sulmuesi i ri anglo-luksemburgo-kamerunez bëhet shenuesi më i ri në historinë e Superkupës së Europës (17 vjeç e 212 ditë). Falë fitores së tyre kundër Aston Villa-s, Paris Saint-Germain hyn në histori duke u bërë klubi i tretë që fiton trofeun e Superkupës së Europës dy herë radhazi. Parizienët i bashkohen dy klubeve legjendare: Milanit dhe Real Madridit.Milan e kishte arritur këtë sukses në vitet 1989 dhe 1990 kur ky kompeticion zhvillohej me dy ndeshje. Në vitet 2016 dhe 2017, Real Madridi i Zinedine Zidane, fitues i tre titujve radhazi të Ligës së Kampionëve, ngriti trofeun respektivisht kundër Sevilla-s dhe Manchester United. Në listën e fituesve të të gjitha kohërave të garës, tre të parët janë Real Madrid (6 tituj), Barcelona dhe Milan (5 tituj secili).
Për kënaqësinë e 7000 tifozëve të entuziazmuar parizienë në Red Bull Arena, Luis Enrique vazhdon serinë e tij të jashtëzakonshme si trajner i PSG-së. Pasi mori drejtimin e ekipit në verën e vitit 2023, Enrique ka fituar 13 trofe nga 16 kompeticione të zhvilluara. Këtu përfshihen dy tituj të Ligës së Kampionëve (2025, 2026) nga tre të tilla, dy Superkupa UEFA (2025, 2026), një Kupë Ndërkontinentale (2025) dhe një humbje në finalen e Kupës së Botës për Klube të ripërtërirë (2025), tre tituj të Ligës 1 në Francë (2024, 2025, 2026), dy Kupa të Francës (2024, 2025) dhe tre Trofe të Kampionëve po në Francë (2023, 2024, 2025). Ai do të synojë një trofe të katërt, dhe në të njëjtën kohë një titull të 14-të nga 17 të mundshëm, duke filluar këtë të diel kundër Lens. Në pritje të kësaj finaleje, një gjë është evidente: PSG vazhdon të dominojë futbollin europian.
