Last Updated on 13/08/2026 by Anisa
Nga Fejzo Subashi
A vepron Drejtuesi i Policisë së Shtetit me të njëjtin standard ndaj drejtuesve, zinxhirit komandues dhe institucioneve vartëse në të gjithë territorin e Shqipërisë? Kjo nuk është një pyetje për një qytet, një bashki apo një drejtues policie. Është një pyetje për Shtetin. Territori i Shqipërisë është një. Nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim, ligji duhet të veprojë dhe të zbatohet njësoj. Pa dallim krahine, qyteti apo fshati. Pa dallim nëse qytetari jeton pranë detit, në fushë apo në mal. Qytetari ka vetëm një emër: qytetar.
Edhe Policia e Shtetit ka vetëm një emër, një uniformë dhe një detyrë: të zbatojë ligjin. Natyrisht, policët dhe drejtuesit mund të ndryshojnë në formim, në aftësi profesionale, në përvojë dhe në kulturën e tyre qytetare. Por një gjë nuk mund të ndryshojë: reagimi i shtetit ndaj shkeljes së ligjit. Krimi është krim. Vepra penale është vepër penale. Shkelja e ligjit nuk ndryshon sipas koordinatave gjeografike.
Ndaj pyetja ime është e thjeshtë: A është i njëjtë standardi i reagimit të Policisë së Shtetit në Himarë dhe në Këlcyrë?
Nëse po, atëherë le të shihet në terren. Sepse në Këlcyrë, në një pjesë të territorit të saj, qytetarët ngrenë shqetësime të përsëritura për zaptime dhe pushtime pronash, ndërtime të paligjshme dhe shkelje për të cilat, në raste të caktuara, pretendohet se ekzistojnë edhe vendime të formës së prerë. Ka kërkesa për ndërhyrjen e Policisë. Në Këlcyrë o krimi komandon policinë, o policia është sa për sy e faqe.. E vetmja gjë që kanë sa i takon të thonë -“Fajin e ka Bashkia, ai kryetari i Bashkisë ai nuk vepron” Policia në Këlcyrë, shquhet për mjeshtrinë profesionale të shmangies së përgjegjësis dhe mos kryerjes së detyrës. Ka ankesa. Ka qytetarë që kërkojnë vetëm një gjë: zbatimin e ligjit. Dhe përgjigjja, në raste të caktuara, duket sikur është: “Kur të ndodhë krimi, ne do të veprojmë.” Jo, zotërinj! Policia nuk është vetëm për të ardhur pas krimit. Policia është edhe për ta parandaluar atë. Nëse një konflikt pronësor, një zaptim, një ndërtim i paligjshëm apo një kërcënim lihet të zgjerohet, ai mund të prodhojë nesër një konflikt më të madh, dhunë apo edhe krim.
Dhe atëherë pyetja nuk duhet të jetë vetëm: Kush e kreu krimin? Duhet të jetë edhe: Çfarë bëri shteti për ta parandaluar?
Këtu qëndron përgjegjësia e drejtuesit.
Sepse nuk mund të kemi një polici që bëhet tepër e vendosur kur “çekiçi bie nga lart” dhe tepër e qetë kur çekiçi nuk bie. Nuk mund të kemi një polici ku kambana dëgjohet fort në një zonë dhe mezi dëgjohet në një tjetër. Ligji nuk ka nevojë për kambanë nga lart. Ligji duhet të funksionojë edhe kur askush nuk telefonon nga lart. Përndryshe, nuk kemi shtet ligjor, por kemi një shtet ku fuqia e reagimit përcaktohet nga fuqia e zërit që e kërkon atë. Dhe kjo, nëse ndodh, nuk është thjesht dobësi institucionale. Mund të kthehet në klientelizëm, në shpërdorim detyre dhe në pabarazi para ligjit.
Prandaj Drejtuesi i Policisë së Shtetit duhet të bëjë një pyetje shumë të thjeshtë: A po zbatohet i njëjti standard policor në çdo cep të Shqipërisë?
Jo vetëm në qendrat turistike. Jo vetëm aty ku ka vëmendje mediatike.
Jo vetëm aty ku shkon ministri, kryeministri apo një drejtues i lartë. Por edhe në bashkitë e vogla, në fshatrat e thellë, në zonat malore dhe atje ku qytetari nuk ka asnjë mundësi tjetër përveçse t’i drejtohet institucionit.
Sepse qytetari që jeton në Himarë nuk është më qytetar se ai që jeton në Këlcyrë. Dhe qytetari i Këlcyrës nuk duhet të presë që Kryeministri të bëjë një xhiro në fshatrat e bashkisë që Policia të vihet në lëvizje. Policia duhet të shkojë vetë. Ajo është për këtë. Nuk mund të jetë qytetari ai që duhet t’i tregojë Policisë ku ndodhet shkelja e ligjit, ndërsa Policia pret që problemi të bëhet krim për të ndërhyrë. Dhe ka edhe një pyetje tjetër, më të vështirë:
Kur një drejtues policie lëvizet nga një zonë në tjetrën për shkak të performancës së tij, a ndryshon sjellja e tij bashkë me territorin?
Nëse jo, atëherë problemi nuk qenka mali, fusha apo deti. Problemi është njeriu dhe standardi me të cilin ai ushtron detyrën.
Nuk mund të krijojmë zona “me benefite” dhe zona ku qytetari duhet të presë më gjatë për drejtësi. Nuk mund të kemi polici të fortë aty ku bie fort çekiçi dhe polici të heshtur aty ku çekiçi nuk bie. Sepse uniforma është e njëjtë. Ligji është i njëjtë. Shteti duhet të jetë i njëjtë. Dhe qytetari është i barabartë. Prandaj, ndoshta ka ardhur koha që drejtuesit e Policisë së Shtetit të mos e matin vetëm numrin e operacioneve, arrestimeve apo procedimeve. Të matin edhe sa krime janë parandaluar, sa konflikte janë shuar në kohë, sa qytetarë janë dëgjuar dhe sa shkelje janë ndalur përpara se të ktheheshin në krim. Sepse një polici që mbërrin vetëm pasi krimi ka ndodhur, është polici që reagon. Një polici që e parandalon krimin, është polici që mbron qytetarin. Dhe shteti nuk duhet të presë që mali të digjet për të pyetur se kush nuk e pa tymin. Nga Himara në Këlcyrë, nga deti në mal, Shqipëria duhet të ketë vetëm një standard: LIGJIN. Ndaj Zoti Hitaj, më mirë shkrie që tani postën e policisë Këlcyrë, sesa të ndodhi ndonjë hata, jo se nuk ka ndodhur, që të mbahet mend dhe ju siguroj se ata qytetar do ndjehen më mirë pa polici sesa më të tillë.
Shteti nuk është shtet vetëm aty ku duket. Shteti është shtet edhe aty ku nuk e sheh askush. Kur ligji nuk vepron njësoj nga cepi në cep të vendit, nuk kemi dy standarde të ligjit; kemi një shtet që ka filluar të bjerë.
