Partia Demokratike ka harruar dhe ka injoruar plotësisht arsyen themelore pse Partia Socialiste vijon të jetë në pushtet dhe pse rrotacioni politik është bërë praktikisht i pamundur. Kjo arsye është sistemi zgjedhor. Me ndarjen aktuale në 12 qarqe, sistemi është ndërtuar në mënyrë të tillë që i shkon për shtat vetëm socialistëve, duke deformuar vullnetin e votuesve dhe duke e bërë garën të pabarabartë që në nisje.
Në këto kushte, asnjë protestë dhe asnjë ide për qeveri teknike nuk e rrezikon realisht Edi Ramën. Problemi nuk është mungesa e revoltës qytetare apo manipulimi i një procesi të vetëm zgjedhor, por struktura e vetë sistemit, i cili garanton avantazh të përhershëm për PS-në dhe i bën zgjedhjet thuajse një formalitet.
Fakti që Partia Demokratike nuk reflekton seriozisht mbi këtë çështje dhe nuk e ka vendosur ndryshimin e sistemit zgjedhor në qendër të betejës së saj politike, tregon shumë. Heshtja dhe shmangia e kësaj teme nuk janë rastësi, por zgjedhje e vetëdijshme për të mos prekur thelbin e problemit.
Kjo sjell në përfundimin se Sali Berisha nuk e dëshiron realisht rrotacionin e pushtetit, por thjesht mbrojtjen personale dhe politike në një periudhë kur dihet se politikanët e vjetër janë të gjithë në sitën e SPAK-ut. Në këtë kontekst, status quo-ja është më e dobishme sesa ndryshimi, edhe nëse kjo do të thotë mbajtje e përhershme e Edi Ramës në pushtet. m.p.
