Nuk ka gjë më irrituese sesa kur po përpiqesh të bësh një bisedë serioze dhe dikush hyn në mes vetëm për të mbrojtur anën tjetër të historisë. Sidomos kur ti po hapesh emocionalisht dhe përballë ke dikë që, në vend të të dëgjojë, fillon të kundërshtojë “për të të ndihmuar”.
Në teori, të shohësh një situatë nga këndvështrime të ndryshme mund të jetë e dobishme, sidomos në punë apo kur po zgjidh një problem. Por në jetën personale, kjo funksionon vetëm nëse të dy palët janë dakord për një debat të tillë. Përndryshe, duket si kontroll, madje edhe manipulim. Fatmirësisht, njerëzit e zgjuar dinë saktësisht çfarë të thonë për ta vendosur situatën në vend.
1. “Do preferoja të dëgjoja mendimin tënd të vërtetë”
Shpesh, ata që bëjnë “avokatin e djallit” nuk po flasin realisht për bindjet e tyre, por thjesht po kundërshtojnë për sport. Kjo mund të duket e pasinqertë. Në punë mund të ndihmojë për ide të reja, por në marrëdhënie personale mund të të bëjë të ndihesh i pavlerësuar. Kjo fjali i shtyn të flasin hapur, pa mbrojtje dhe pa kundërshti artificiale.
2. “E di që ka shumë anë, por kjo nuk është biseda që po bëj”
Edhe pse ndonjëherë mund të duket si tentativë për të thelluar diskutimin, në momente emocionale kjo mund të ndihet si minimizim. Madje ndonjëherë edhe si përpjekje për të të bërë të dyshosh në veten tënde. Kjo fjali vendos kufirin: jo çdo bisedë ka nevojë për debat.
3. “Do ta vlerësoja nëse thjesht do më dëgjoje tani”
Mbështetja emocionale është thelbësore. Ndonjëherë ke nevojë vetëm për dikë që të dëgjon, jo për dikë që të kundërshton. Duke e thënë hapur këtë, u kujton të tjerëve çfarë pret nga ata në atë moment.
4. “Do doja të dëgjoje këndvështrimin tim, edhe nëse nuk je dakord”
Shpesh nuk janë vetëm fjalët, por edhe ndërprerjet apo gjuha e trupit që të bëjnë të ndihesh i injoruar. Kjo fjali është një mënyrë e qetë për të kërkuar respekt dhe hapësirë për të folur.
5. “Ndonjëherë kjo mënyrë bën më shumë dëm sesa mirë”
Jo çdo debat është i dobishëm. Të thuash hapur si ndihesh i jep tjetrit mundësinë të reflektojë. Reagimi i tij tregon shumë për qëllimet që ka.
6. “Mund të mos mbrosh anën tjetër për momentin?”
Vendosja e kufijve nuk është gjithmonë e lehtë, por është e nevojshme. Shpesh njerëzit as nuk e kuptojnë që po të bezdisin, ndaj një kërkesë e thjeshtë mund të ndryshojë gjithë dinamikën.
7. “Cili është qëllimi yt duke e sjellë këtë tani?”
Ndonjëherë njerëzit mendojnë se po ndihmojnë, pa kuptuar sa bezdisës janë. Kjo pyetje i detyron të reflektojnë dhe e rikthen bisedën në një drejtim më të shëndetshëm.
8. “Të kuptoj, por tani nuk po kërkoj këndvështrime të tjera”
Shumëkush thotë “po përpiqem të të ndihmoj”. Kjo është përgjigjja perfekte: e pranon qëllimin, por i tregon qartë çfarë ke nevojë realisht.
9. “Sot nuk dua të sfidohem, dua të dëgjohem”
Debatet mund të jenë të shëndetshme vetëm kur të gjithë janë në të njëjtën faqe. Në momente personale, sfidimi i emocioneve nuk ndihmon, përkundrazi, i minimizon ato.
10. “Do doja ta përfundoja mendimin tim”
Disa njerëz përdorin këtë taktikë për të të bërë të dyshosh te vetja ose për të marrë kontrollin e bisedës. Kjo fjali të ndihmon të ruash autoritetin dhe të mos lejosh ndërprerje.
11. “Mund të kthehemi te thelbi i bisedës?”
Bisedat shpesh devijojnë kur dikush futet në rolin e kundërshtarit. Kjo është mënyra më e thjeshtë për ta kthyer fokusin aty ku duhet./mxh
