Behgjet Pacolli, një nga biznesmenët më të suksesshëm të Kosovës, në një intervistë për emisionin Opinion të ritransmetuar këtë mbrëmje, tregon një moment kur në rininë e tij, ishte ndjerë keq, pasi kolegët visheshin mirë dhe ai ishte në gjendje të keqe ekonomike.
Ai tregoi një moment prekës, kur kolegët ishin veshur me rroba të reja, ndërsa ai mbante veshur rroba të grisura. Pacolli u shpreh se kishte ecur 36 km në këmbë dhe se nëna ia kishte fshirë lotët.
“U regjistrova në Fakultetin Filozofik, dega e Gjeografisë. Kur po dilja gjeta një grup të kolegëve të mi nga qyteti. Ishin disa vajza. Më thanë se ku po shkon kështu, ti tani je student më thanë, duhet të vishesh më bukur. I kisha pantollonat e grisura. Kisha dhe këmishë të grisur gjithashtu. I pashë se ishin të veshur bukur dhe më kanë dalë lot. Në atë moment, kam nisur që të eci. Kisha dhe krenari dhe inat. Kisha mundësi të shkoja në shtëpi me autobus. Por harrova fare që ka autobus dhe shkova në këmbë. Bëra 36 kilometra në këmbë nga kjo histori, se isha i prekur. Nëna më fshiu lotët në shtëpi”, tha Pacolli.
Tregoi se fillimisht kishte punuar për një kompani në Zvicër deri në vitet 1990. Më pas, kishte filluar projekte në Moskë e më tej në Astana të Kazakistanit.
“Jam nisur me tren për në Zvicër. Kam filluar të punoj në një kompani të makinave të precizionit për stampimin e tekstilit. Aty kam punuar një vit. Kam nisur të punoj nga 1976 deri në 1990. Viti 1990 ka qenë i fundit, që kam punuar për dikënd tjetër. Gjatë kohës që kam bërë biznes, jam takuar dhe me ish-udhëheqësin rus Boris Yeltsin. Shpesh herë kam qenë në shtëpinë e tij modeste dhe lidhjet i kam mbajtur. Më pas njoha Putinin si zëvendës të kryebashkiakut të Shën Peterburgut. Nga aty nis ngritja e Putinit. Ish-presidenti kazak Nazerbajevi më ka kërkuar që të mos kthehem më në Moskë. Ai më ka thënë se duhet ta ndërtoja kryeqytetin e Kazakistanit, Astanën”, deklaroi Pacolli./kb
