Last Updated on 15/06/2025 by adminfjala
Andi Bushati dhe Blendi Kajsiu kanë disa ditë që zhvillojnë një seri replikash me njëri-tjetrin. I pari ngulmon me tezën e tij se askush nuk e mund dot Edi Ramën, sepse jetojmë në kushtet e një partie-shtet, e cila nuk mposhtet dot as nga Donald Trump apo Angela Merkel, kurse i dyti thotë se qeveria bie nëse opozita bëhet e vërtetë dhe heq dorë nga berishizmi.
new.fjala.al/ po rendit një sërë pyetjesh në vijim, për të treguar se përgjegjësinë për zgjedhjet e 11 majit nuk e ka populli me votën e tij, por opozita parlamentare me gafat e njëpasnjëshme të saj. 11 maji tregoi se Sali Berisha ka vetëm një qëllim: të mbajë me dhëmbë deri në vdekje partinë. Për të vlen vetëm emri i tij dhe familja e tij, asgjë tjetër. Le të kthehemi pas në kohë:
Populli e ka fajin që Sali Berisha në vitin 2008 votoi këtë sistem zgjedhor që kemi sot, i cili avantazhon Partinë Socialiste deri në përjetësi? Jo. Kreu i PD thjesht shpëtoi lëkurën duke i dhënë Edi Ramës një favor gjigant, sepse po vuante pasojat e shpërthimit në Gërdec. Atë vit, Berisha nuk vendosi as për partinë, as për Shqipërinë, por për hallin e tij personal.
Populli e ka fajin që Partia Demokratike dorëzoi mandatet dhe turpëroi Parlamentin me “kërpëratat”, duke i lëshuar terrenin Ramës me figura aspak dinjitoze? Socialistëve iu dha shansi të talleshin për muaj me radhë dhe në Parlament vdiq diskutimi politik. Nuk e ka fajin populli, por vetë PD.
Populli e ka fajin që Partia Demokratike nuk garoi në zgjedhjet lokale 2019? Demokratët falën të gjitha bashkitë, duke maksimalizuar pushtetin e Ramës thuajse deri në infinit. Rama, me ato zgjedhje, pati fatin e madh që të shtronte themelet e 61 “fortesave socialiste” si shtabe qendrore elektorale për zgjedhjet e ardhshme. Çdo bashki është një mundësi politike për të mbajtur fort elektoralin, gjë që Rama e mori dhuratë. Nuk votoi populli, por kështu vendosi PD.
Nëse dikush mund të thotë se nuk ishte Berisha ai që mori këto vendime, ja ku vjen dhe kundërpërgjigjja. Pse Berisha nuk ndryshoi asgjë në qershor 2024, kur pati rastin për të kërkuar koalicione parazgjedhore dhe hapjen e listave? Pse ai nuk bëri asgjë ndryshe nga Lulzim Basha? Kjo do të thotë se PD nuk ishte kurrë e Lulit, por e Berishës. Berisha e shëmtoi edhe më shumë kodin zgjedhor, duke i mbyllur listat, aq sa i çimentoi.
Populli e ka fajin që listat e PD në zgjedhjet e 11 majit u mbushën me individë të stërkonsumuar dhe që nuk rrezatojnë aspak energji, shpresë dhe motivim për votuesit? Berisha e bunkerizoi partinë duke garuar me besnikët e tij, jo me njerëz që korrin sukses dhe nxitin votuesit për rrotacionin politik. As këtu, pra, fajin nuk e ka populli.
Populli e ka fajin që anëtarët e PD votojnë në primare X-in, por Berisha vendos në listë Y-in? Populli e ka fajin që PD rreshtoi në koalicion një grup pleqsh të mbaruar, të cilët nuk marrin dot as votat e fisit, por nuk tërhoqi dot partitë e reja (gjithsej 150 mijë vota)? Populli e ka fajin që PD nuk garoi me një kandidat përbashkues për kryeministër, një individ pa faje të së kaluarës dhe i papërlyer në politikë, i cili mund të tërhiqte në një federatë opozitare të gjitha partitë anti-sistem? Populli e ka fajin që PD ka më shumë se një dekadë që nuk prodhon figura të reja, por lë në një qoshe çdo zë rinor me mendim ndryshe? Populli e ka fajin që PD në 2005 rinovoi partinë dhe garoi me një ansambël fytyrash të reja, kurse në 2025 mbushi listat me figura arkaike?
Populli e ka fajin që opozita parlamentare humbi 250 mijë vota krahasuar me zgjedhjet 2021? Populli e ka fajin që partitë e reja, për herë të parë në historinë tonë demokratike, fituan simpati dhe morën nga një ose dy mandate? Dikush duhet t’ua thotë në sy demokratëve: nëse PD do të ishte e fortë, nuk do të kishte shans që partitë e reja të kishin sukses. E mbani mend vitin 2021? Nisma Thurje nuk fitoi dot asnjë mandat. Pse? Sepse PD asokohe ishte ende e fortë, edhe pse jo fituese. Asnjë parti e re nuk fitoi mandate në 2021, sepse demokratët ishin ende me sytë nga rrotacioni dhe ngacmonin emocionet e popullit. Në 2025, jo. Demokratët nuk i kishin sytë nga rrotacioni, sepse Berisha luajti vetëm për hallin e tij personal: “Shqipërinë le ta marrë lumi, unë fortikoj partinë time”.
Pra, populli jo gjithmonë ka faj. Populli kërkon pastërti, alternativë, sinqeritet, model. Populli pret një opozitë e cila është e kundërta e qeverisë. Populli nuk mund t’i japë votën një partie të ngjashme me PS. Nëse Rama sot akuzohet si autokrat i Shqipërisë, Berisha është autokrat i opozitës. Kjo është e vërteta, e cila refuzohet nga 500 mijë militantë të PD, të cilët – për fatin e keq të vendit – duan më shumë kryetarin e partisë sesa Shqipërinë. m.p.