Presidenti rus Vladimir Putin është akuzuar prej vitesh se paraqitjet e tij publike me qytetarët e zakonshëm shpesh janë të organizuara me kujdes dhe jo spontane.
Sipas hetimeve të mediave të pavarura dhe gazetarëve investigativë, në shumë raste personat që shfaqen pranë Putinit nuk janë qytetarë të rastësishëm, por zyrtarë, aktivistë pro-Kremlinit ose persona të lidhur me strukturat shtetërore.
Një nga rastet më të njohura ndodhi në Shën Petersburg në vitin 2020. Gjatë një vizite publike, Putin u ndal për të biseduar me disa persona që dukeshin si kalimtarë të zakonshëm. Më vonë u zbulua se disa prej tyre ishin funksionarë lokalë dhe mbështetës të njohur të presidentit. Edhe vajza që realizoi një selfie me Putinin rezultoi të kishte lidhje me mediat e afërta me Evgenij Prigozhin.
Rusia në zgjedhje presidenciale më 17 Mars
Fenomeni njihet në Rusi me termin “masovka”, që nënkupton përdorimin e figurantëve ose pjesëmarrësve të përzgjedhur për të krijuar një imazh të caktuar publik. Sipas analistëve, kjo praktikë është forcuar pas katastrofës së nëndetëses Kursk në vitin 2000, kur Putin u përball me reagime të ashpra nga familjarët e viktimave.
Me kalimin e viteve, në aktivitete të ndryshme publike janë identifikuar persona që shfaqeshin herë si peshkatarë, herë si besimtarë, punëtorë fabrikash apo qytetarë të zakonshëm. Në shumë raste ata rezultuan të ishin biznesmenë, punonjës administrate ose aktivistë të lidhur me pushtetin.
Një shembull tjetër ndodhi në vitin 2022, kur Putini zhvilloi një takim me të ashtuquajturat “nëna të ushtarëve”. Hetimet treguan se shumë prej pjesëmarrëseve kishin poste publike ose lidhje të drejtpërdrejta me organizata pro-qeveritare, duke ngritur dyshime për autenticitetin e takimit.
Sipas gazetarëve investigativë rusë në mërgim, izolimi i Putinit është shtuar ndjeshëm gjatë viteve, ndërsa masat e sigurisë janë bërë gjithnjë e më të forta. Kjo ka bërë që kontaktet e tij me publikun të kontrollohen në detaje dhe të minimizohen rreziqet nga reagimet e papritura.
Megjithatë, jo gjithmonë skenarët funksionojnë sipas planit. Gjatë një vizite në Mariupol në vitin 2023, kamerat kapën zërin e një gruaje që bërtiste: “Gjithçka është e rreme, gjithçka është vetëm për shfaqje”. Ky moment u hoq më vonë nga disa versione të publikimit zyrtar, por u bë simbol i kritikave ndaj mënyrës sesi Kremlini ndërton imazhin publik të presidentit rus.
Kritikët argumentojnë se përdorimi i figurantëve dhe pjesëmarrësve të përzgjedhur krijon një realitet artificial, ku qytetarët e zakonshëm zëvendësohen nga njerëz të besueshëm për pushtetin. Përkrahësit e Kremlinit, nga ana tjetër, e konsiderojnë këtë një masë të nevojshme sigurie për presidentin e Rusisë./mxh
