Last Updated on 15/10/2026 by EL
Përplasjet e shënuara gjatë protestave të sotme në disa qytete të Shqipërisë kanë vënë në lëvizje Avokatin e Popullit, Endrit Shabani, i cili ka dërguar grupe monitorimi në komisariatet dhe drejtoritë e policisë në Tiranë, Korçë e Shkodër, si dhe në spitalet ku po trajtohen personat e lënduar.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, institucioni bën me dije se monitorimi synon të verifikojë respektimin e të drejtave themelore të personave të shoqëruar nga policia. Gjetjet do të bëhen publike pasi të konfirmohen.
Njoftimi i Avokati të Popullit:
Tiranë, 15 tetor 2026
Avokati i Popullit ka dërguar grupe monitorimi në komisariatet e policisë dhe në drejtoritë e policisë në Korçë, Shkodër dhe Tiranë, si dhe në spitalet ku trajtohen personat e lënduar. Qëllimi është të verifikohet nëse të shoqëruarve u garantohen të drejtat themelore, dhe të publikohen gjetjet pasi të konfirmohen.
Korçë
Në Komisariatin e Policisë Korçë ditën e sotme janë shoqëruar 26 persona, nga të cilët 16 të mitur. Aktualisht të gjithë personat e shoqëruar janë liruar dhe një pjesë e tyre po procedohen në gjendje të lirë.
Shkodër
Përfaqësuesit e zyrës rajonale kanë monitoruar Drejtorinë e Policisë Shkodër, ku janë kryer veprimet procedurale për katër persona të shoqëruar. Ne kemi administruar ankesat e tyre për trajtimin që në momentin e shoqërimit nga policia, si dhe pretendimet për garantimin e të drejtave të garantuara në Kushtetutë.
Një grup pune po monitoron situatën në komisariatet e policisë dhe në spitalet e Tiranës, dhe shumë shpejtë do të raportojmë mbi gjetjet paraprake.
