Ndërsa një pjesë e qytetarëve protestonte në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në ditën e 37 të protestës kundër klasës politike, një pjesë tjetër kishte zgjedhur të ndiqte në sheshin “Skënderbej” ndeshjet e Kupës së Botës.
Duke publikuar pamje live nga dy realitete të ndryshme në kryeqytet, kryeministri Edi Rama ironizoi protestuesit. Kreu i qeverisë ndau në rrjetet sociale pamje nga marshimi i protestuesve, ku shihet një numër i vogël pjesëmarrësish, ndërsa paralelisht publikoi edhe atmosferën në sheshin “Skënderbej”, ku qytetarë të shumtë po ndiqnin një nga sfidat më të rëndësishme të Kupës së Botës, Spanjë–Portugali.
Kryeministri e shoqëroi postimin me vargje nga kënga e grupit të njohur West Side Family, në videoklipin e së cilës ka marrë pjesë edhe vetë Rama. Kënga u përdor si kolonë zanore në fushatën zgjedhore të vitit 2003, kur ai u zgjodh kryebashkiak i Tiranës.
“Live nga kryeqyteti i Europës së Ballkanit
Kjo osht Tirona jon, Tirona kontradiktës
E luftës, e paqes, errsirës dhe e dritës
Mashtrimit të vërtetës, shpifjes interesit,
e qejfit dhe e stresit, ahengut dhe biznesit”, shkruan Rama bashkangjitur këtyre dy pamjeve./ad
