Last Updated on 22/03/2026 by Anisa
Partia Demokratike do të zhvillojë sot protestën e radhës kombëtare përpara Kryeministrisë. Tubimi pritet të nisë në orët e pasdites, dhe këtë herë nuk do të ketë fjalime, çka konfirmohet edhe nga mungesa e një podiumi në shesh.
Si zakonisht në protesta të opozitës, godina e Kryeministrisë është rrethuar me gardhe metalike, ndërsa Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e tubimit dhe garantimin e sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, do të ketë kufizime të lëvizjes në disa akse kryesore të kryeqytetit:
- Nga ora 09:30 deri në përfundim të protestës, do të bllokohet bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”;
- Nga ora 15:00 e në vijim, do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Autoritetet bëjnë me dije se, në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime edhe në rrugë të tjera, ndërsa janë parashikuar devijime të trafikut për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve.
Një ditë më parë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se deputetët demokratë do t’i bashkohen protestuesve në zonat nga ku janë zgjedhur, duke synuar një mobilizim më të gjerë.
Ndërkohë, opozita u ka bërë thirrje strukturave dhe mbështetësve të saj për pjesëmarrje masive në tubimin kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar situatën politike si një moment kyç për reagim qytetar.
Nga Elbasani pritet të nisen rreth 1200 protestues, të cilët do t’i bashkohen tubimit në Tiranë. Nisja e tyre është planifikuar rreth orës 16:00 dhe do të realizohet me automjete private raportojnë mediat.
