Last Updated on 03/04/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka folur për ambicien e tij për të kandiduar për kryebashkiak të Tiranës, duke theksuar se gjithçka duhet të kalojë përmes një procesi të hapur dhe transparent brenda partisë.
Në një intervistë për emisionin “Top Story” në Top Channel, Braçe u shpreh se nuk dëshiron të krijojë përçarje në këtë moment për Partinë Socialiste, e cila sipas tij përballet me mjaft sfida.
“Doja që kjo çështje të mbetej brenda partisë, sepse nuk mendoj se duhet t’i shkaktojmë një traumë PS-së në këtë moment, pasi ka mjaft probleme”, deklaroi ai.
Braçe kritikoi proceset e mëparshme për përzgjedhjen e kandidatëve, duke i cilësuar si formale dhe jo reale, ndërsa kërkoi një garë të vërtetë dhe pa ndikime.
“Unë kërkoj një proces real brenda partisë, ndryshe nga ai i shtatorit të vitit të kaluar, që ishte vetëm një njoftim. Nëse ka një proces të lirë dhe të hapur, pa trysni dhe pa ndikim nga presidiumet, patjetër që do të jem pjesë”, u shpreh ai.
Deputeti socialist theksoi gjithashtu se mbetet i lidhur me Partinë Socialiste dhe nuk mund të konsiderohet i pavarur pas tre dekadash angazhimi politik.
“Askush nuk mund të më besojë se jam i pavarur pas 30 vitesh si deputet i PS-së. Unë jam socialist”, tha Braçe.
Sa i përket emrave të tjerë në garë, ai përmendi edhe Ogerta Manastirliun, duke nënvizuar se nëse ajo del si kandidate nga procesi, do të ketë mbështetjen e tij.
“Nëse nga ky proces del një kandidat tjetër, patjetër që duhet të jetë ai apo ajo që përfaqëson PS-në, siç është rasti i Manastirliut”, përfundoi Braçe.
