Last Updated on 03/06/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama është shfaqur para mediave pas mbledhjes së qeverisë, ku ka komentuar protestat e fundit dhe kërkesat e protestuesve, përfshirë edhe thirrjet për dorëheqjen e tij.
I pyetur mbi këtë kërkesë, Rama reagoi duke thënë se nuk ka ndërmend të diskutojë me protestues që, sipas tij, janë të nxitur dhe përsërisin skenarë të vjetër politikë. Ai u shpreh se është i gatshëm të flasë vetëm me qytetarët që e kanë mbështetur me votë dhe që kanë shqetësime reale për çështje të ndryshme, përfshirë mjedisin.
“Unë nuk kam kërkuar të flas me ata që janë të kurdisur dhe të çartur. Dua të flas me ata që kanë votuar për mua… Ata që vijnë me librin e shtëpisë sime poshtë zyrës janë subjekt vetëm për Zotin,” u shpreh Rama, duke shtuar se nuk lëviz nga mandati që, sipas tij, i është dhënë nga qytetarët.
Duke iu referuar akuzave dhe tensioneve rreth protestave, kryeministri foli edhe për atë që e cilësoi si “luftë hibride”, duke përmendur përfshirjen e aktorëve të ndryshëm dhe ndikime të mundshme të jashtme. Ai theksoi se institucionet shqiptare, sipas tij, kanë kapacitete të forta në fushën e sigurisë kibernetike dhe ndjekin burimet e këtyre ndikimeve.
“Dihet botërisht… kemi një nga mbrojtjet më të forta kundër terrorit kibernetik. Kjo është një luftë hibride që zhvillohet edhe këtu në vendin tonë,” deklaroi ai.
Në vijim të deklaratës së tij, Rama akuzoi grupe të caktuara se po instrumentalizojnë çështjet mjedisore për qëllime politike, duke i lidhur ato me narrativa që, sipas tij, shkojnë përtej shqetësimeve reale të qytetarëve.
“Kjo është luftë hibride… Shqipëria dhe shqiptarët do të marrin atë që u takon për të rritur ekonominë dhe të ardhurat,” shtoi ai.
Në fund të deklaratës, kryeministri u ndal edhe te zhvillimet rreth projektit në Zvërnec, duke e cilësuar si pozitive ecurinë e procedurave ligjore dhe verifikimeve mbi pronësinë dhe financimin e investimit. Sipas tij, sqarimi i plotë i transaksioneve dhe origjinës së fondeve i hap rrugë vazhdimit të projektit.
“Unë e shoh si një zhvillim shumë pozitiv procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec,” u shpreh Rama.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment tensionesh publike dhe debatesh mbi projektet e zhvillimit në zonën e Zvërnecit, të cilat kanë ngjallur reagime të forta nga protestuesit dhe organizata të ndryshme.
