Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me protestën kombëtare të opozitës të zhvilluar pasditen e së martës.
Përmes një postimi në platformën ‘X’, Rama shprehet se PD-ja është e vetmja parti në botë që ushtron dhunë, teksa ka ndarë edhe pamje nga lëndët plasëse artizanale të sekuestruara nga policia.
Rama e ka cilësuar protestën si një disfatë shembullore nga demokratët dhe një cikël të ri jashtënxjerrjesh në bulevard.
“Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur! Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës! Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”,-shkruan Rama./Kb
