Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e djeshme në Himarë, në zonën e prekur nga zjarri gjatë natës së kaluar, ku pa nga afër situatën dhe dëmet e shkaktuara nga flakët, ndërsa u njoh me angazhimin e strukturave në terren.
Gjatë vizitës, Rama takoi dhe falënderoi efektivët e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, shërbimeve zjarrfikëse, si dhe të gjitha strukturat e angazhuara në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës së banorëve dhe pronës.
Në kuadër të vizitës, kryeministri takoo edhe banorët e zonës, ndërsa bashkë me të kanë qenë ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Në terren janë angazhuar 881 forca operacionale, 75 automjete zjarrfikëse dhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni është mbështetur gjithashtu nga helikopterët dhe avioni Air Tractor, i cili ka ndërhyrë gjatë ditës së sotme për shuarjen e flakëve.
Për banorët e prekur nga zjarri, Bashkia e Himarës do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara./k.m
