Last Updated on 02/03/2026 by Anisa
Shqipëria po vijon të vuajë nga hemorragjia e popullsisë edhe pas më shumë se 30 viteve tranzicion, ku po dominon largimi i të rinjve. Të dhënat e Eurostat treguan se vetëm në vitin 2024 kanë emigruar në vendet e Bashkimit Europian rreth 44 mijë shqiptarë.
Vetëm pas pandemisë, në 4 vjet, për periudhën 2021-2024, nga vendi kanë ikur të paktën 180 mijë persona dhe këtu nuk përfshihen të dhënat e Greqisë dhe as Mbretërisë së Bashkuar, me këtë të fundit që pa një valë ikjesh që kulmoi në 2022-n, ritmet e emigracioni u përshpejtuan pas pandemisë.
Referuar të dhënave Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia thekson se Shqipëria po humbet brezin më të ri dhe më vital të vendit. Sipas tij, largimi i masiv i të rinjve, rënia dramatike e lindjeve dhe mosha mesatare që po rritet, janë pasojë e një sistemi të korruptuar ku krimi dhe politika janë bërë një.
Ky ndryshim i modelit të familjes, i kombinuar me ikjen e forcës riprodhuese drejt BE-së, e ka vendosur vendin përpara një sfide ekzistenciale, që nuk po merret aspak seriozisht nga qeveria, përkundrazi kjo e fundit po përhap narrativen që emigracioni ka ndalur dhe tashmë dominojnë kthimet, kur po ndodh tërësisht e kundërta.
Reagimi i plotë
Ndërsa propaganda zyrtare flet për “kthime” dhe “rilindje”, shifrat e Eurostat nxjerrin lakuriq të vërtetën e dhimbshme. Shqipëria po pëson një hemorragji që po vret të ardhmen!
Ky nuk është emigrim, është dëbim nga një sistem i kalbur në korrupsion, ku krimi dhe pushteti janë bërë një, duke i zënë frymën çdo të riu që kërkon meritokraci.
Vetëm në 4 vitet e fundit (2021-2024), kanë ikur 180,000 shqiptarë.
62% e të larguarve në vitin 2024 ishin nën moshën 35 vjeç. Grupmosha më vitale (25-29 vjeç) po ikën e para!
Lindjet kanë rënë me 74% krahasuar me vitet ’90. Nga 82 mijë lindje, kemi zbritur në nivelin kritik prej 21 mijë.
Brenda 10 viteve, mosha mesatare kërceu nga 34.7 në 44.3 vjeç. Po kthehemi në një vend azili.
Pse ikin? Sepse kur paratë e taksapaguesve përfundojnë në inceneratorë e tendera korruptivë, nuk ka mbetur asgjë për shëndetësinë, arsimin dhe dinjitetin e punës. Kur krimi i organizuar dikton ekonominë, një i ri i shkolluar nuk ka asnjë shans përballë “të fortit” të partisë.
Ky është rezultati i një qeverie që e ka kthyer Shqipërinë në një pronë private, duke detyruar forcën më vitale të vendit të kërkojë shpresën në rrugët e Europës.
Nuk po ikin për dëshirë, po ikin nga pamundësia për të bashkëjetuar me padrejtësinë!
Detyra jonë që kemi vendosur të qëndrojmë në vendin tonë është të mos dorëzohemi deri në rikthimin e Shqipërisë në një vend të lirë, prosperoz dhe ku sundon meritokracia dhe vlerat mbi antivlerat./A.D