Jimmy Lai, manjati i medias dhe një nga figurat më të njohura pro-demokracisë në Hong Kong, përballet me mundësinë e burgut përjetë pasi u shpall fajtor sot, 15 dhjetor, për vepra që lidhen me sigurinë kombëtare dhe nxitjen e urrejtjes.
Vendimi konsiderohet një nga më të bujshmit në qytet dhe përtej që prej vitit 1997.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias e kanë dënuar ashpër verdiktin, duke e cilësuar atë si një “farsë” dhe goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit.
Britania e Madhe përsëriti qëndrimin se ndjekja penale ndaj Lai-t është me motive politike dhe kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm. Lai, i cili është shtetas britanik, është dënuar vetëm disa javë para një vizite me kryeministrin britanik Keir Starmer në Pekin.
78-vjeçari ndodhet në paraburgim që nga fundi i vitit 2020-ës pas protestave kundër qeverisë. Vendimi i kësaj të hëne, ku gjyqtarët e përshkruan atë si “trurin” e komploteve për destabilizimin e qeverisë kineze, erdhi pas një sërë seancash që zgjatën më shumë se 2 vjet.
Jimmy Lai u paraqit në Gjykatën e West Kowloon i shoqëruar nga forca policore të armatosura, ndërsa familjarët e tij ishin të pranishëm në sallë. Dhjetëra mbështetës, disa prej të cilëve kishin pritur gjatë gjithë natës, u mblodhën për të ndjekur shpalljen e një vendimi të shumëpritur, por fatkeqësisht të parashikuar.
Ai akuzohet për komplot, për publikimin e materialeve nxitëse dhe dy raste bashkëpunimi me forca të huaja, sipas ligjit të sigurisë kombëtare të vendosur në vitin 2020 dhe një ligji të epokës koloniale britanike për nxitjen e urrejtjes, funksional vitet e fundit.
Prokuroria pretendoi se Lai kishte përdorur gazetën e tij Apple Daily dhe lidhjet me figura politike jashtë vendit për të nxitur sanksione dhe masa ndëshkuese ndaj Kinës dhe autoriteteve të Hong Kongut. Ai i mohoi të gjitha akuzat, por në vendimin prej 855 faqesh, gjykatësit deklaruan se provat ishin “të qarta”.
Gjykatësja Esther Toh deklaroi se Lai “nuk kishte hequr dorë kurrë nga synimi për të destabilizuar qeverisjen e Partisë Komuniste Kineze”, edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të sigurisë kombëtare.
Vendimi u përshëndet nga drejtuesit e Hong Kongut, përfshirë shefin ekzekutiv John Lee, ndërsa u dënua ashpër nga organizatat ndërkombëtare. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve e ka cilësuar “një akt turpërues persekutimi”, duke theksuar se rasti dëshmon përbuzjen totale ndaj lirisë së medias.
Amnesty International dhe Human Rights Watch e cilësuan dënimin si të padrejtë dhe mizor, duke paralajmëruar se qëllimi i tij është heshtja e çdo kritike ndaj Partisë Komuniste Kineze.
Edhe autoritetet e Tajvanit reaguan, duke deklaruar se vendimi tregon se liritë, demokracia dhe pavarësia gjyqësore në Hong Kong janë gërryer sistematikisht.
Së bashku me Lai-n, u shpallën fajtorë edhe tre subjekte të lidhura me Apple Daily.
Vetë Lai deklaroi se kishte shpresuar që komuniteti ndërkombëtar të ndalonte vendosjen e ligjit të sigurisë kombëtare, por mohoi se kishte kërkuar ndonjëherë veprime konkrete nga qeveri të huaja.
Gjyqi i tij është bërë simbol i goditjes ndaj opozitës dhe medias kritike në Hong Kong. Para gjykatës, mbështetësit mbanin mollë të kuqe, simbol i gazetës Apple Daily, si shenjë solidariteti me njeriun që për shumëkënd përfaqëson ngritjen dhe rënien e vetë Hong Kongut./mxh
