Last Updated on 15/12/2025 by Monika
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar jashtë SPAK, shkuarjen e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në ambientet e Kryeministrisë disa ditë më parë. Berisha tha se Rama e mbajti të fshehtë këtë, për shkak se sipas tij “është tmerruar nga prezenca e tyre”.
“Ka kërkuar të çarmatosen të gjithë agjentët e BKH-së. Do të çarmatosen që të gjithë agjentët e BKH dhe do armatosen me patllake dërrase. Patllake të vërteta nuk do ketë, se na e tmerruan kryeministrin. E kishte mbajtur të fshehtë 20 e ca ditë, shkuarjen e agjentëve të BKH-së në kryeministri. Rama i tmerruar e mbajti të fshehtë dhe e nxorri pas 20 e ca ditësh”, tha Berisha ndër të tjera.
Kujtojmë se ditën e djeshme, kreu i qeverisë ndau në podcastin e tij “Flasim”, një episod të ndodhur në ambientet e Kryeministrisë, ku tha se kishin shkuar disa agjentë të BKH-së, por nuk kishin dorëzuar armën te dera, sipas rregullores së Gardës së Republikës.
Pas këtyre deklaratave reagoi edhe BKH, ku bëri me dije se agjentët e tyre kanë vepruar sipas rregullave dhe se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës./mxh
