Last Updated on 12/12/2025 by Kesjana
Nga Ermal Mulosmani
Jemi në fazën e parakonformizmit. Ka mbetur akoma ndonjë zë naiv si Lapaj që del dhe sakrifikon me shpresën se do nxisë njerëzinë të bashkohet. Ka gjithë simpatinë time që nuk është dorëzuar akoma. Por së shpejti do të kuptojë kotësinë e rezistencës dhe ose do të sakrifikohet ose do thehet.
Njerëzit çdo ditë e më shumë po strukin ato zëra të mekur të ndërgjegjes që u bëjnë thirrje për rezistencë në favor të një paqeje konformiste utilitare. Sepse, siç ka thënë një njeri i mençur: “Çdo shoqëri nderon konformistët e saj të gjallë dhe antikonformistët e vdekur”.
PD e sotme është një parti qesharake. Si një çetë bashibozukësh të shkalafatur nga një luftë mizore ku çdo ushtar ka hallin e vet dhe komandanti jeton me lavdinë e një kohe të shkuar.
Për herë të 30 të në 30 vjet, del në TV dhe tregon të njëjtën histori. Përballë të njëjtit gazetar. Sepse historia te ne shihet në evolucion e sipër, nuk është konstante. I njëjti takim në Hotel Tirana me Besnikun dhe Çashkun, e njëjta rrugë për të studentat, e njëjta bisedë me Azem Hajdarin, të njëjtat broçkulla prej 35 vitesh. Çdo herë kujtesa sjell diçka të re në vend që të harrojë të vjetrat.
Ndërkohë që votuesit e tij largohen çdo ditë nga ky vend, mallkojnë nëpër dhëmbë pafuqinë e tyre, varfërinë dhe përtalljen. Më të zëshmit shpërfaqen publikisht dhe mallkojnë me të shara të zhurmshme. Kam parë Murrizin dhe Vrenozin sa për të përmendë dy.
Sali Berisha është pengmarrësi i një Partie që mund të ngjallte shpresë. Sot Partia e tij urrehet nga votuesit e saj. Kanë mllef! Ata kanë një Grup Parlamentar të paaftë, veshtullor, servil, impotent që komandohet nga një njeri që nuk mundet të kalojë asnjë provim të klasës së 10 të gjimnaz. Një injorant total që Berisha thotë është menaxher! Menaxher?! Në fakt ka shumë të drejtë. Partia ka nevojë për një menaxher që të mbledhë të ardhura. Po si i mbledh të ardhurat Partia? Me firma ndoshta…
Prandaj nuk ka vend për tu habitur. Nëse do firma, nëse do heshtje, nëse do demonstrate fallso, protesta, sulme ndaj rivalëve ke Menaxherin! Çfarë ironie!
Menaxheri i Partisë!
Menaxheri i Partisë shan si çoban, flet si saldator, imiton si klloun por vishet si aristokrat. Lëkura i ndrit nga menaxhimet; kostumet dhe makinat e shtrenjta kontrastojnë me fjalët a mendimet mjerane të tij. Ai ka vetëm një parim: Të gjejë mendimet e errëta të Shefit dhe t’ia bëjë realitet.
Humori mjeran i deputetit të Lushnjës apo pamfletet pa sens e stil nënkryetarit shkodran të Partisë, janë epitoma e mediokritetit, lavdia e injorancës.
Këta zuzarë e dallkaukë të bëjnë qepaze nëse merr penën e shkruan pro dikujt tjetër. “Antiopozitar”, “Opozitar i opozitës” të sulen sapo shkruan pro një alternative tjetër. Në fakt, nëse ka një zjarrfikës të sukseshëm të Opozitës sot, ai është kjo çetë bashibozukësh.
Edi Rama nuk do ta arrestojë kurrë Sali Berishën. Do ishte një akt i pastër vetvrasjeje.
Sot Lapaj po futet në orën e 80-të të një rezistence të pashoqe! Në luftë me të ftohtin acar dhe mungesën e gjumit, vjen çdo orë e më i tretur, dobësuar. E vret më shumë se asgjë kotësia e protestës, braktisja e saj, xhelozia, sharjet.
Nga sallonet e ngrohta e të zbukuruara të shtëpive vërshojnë sharjet e mallkimet. “Po vdes për një kauzë”- është akuza. Po shumë mirë more që po përpiqet. Le ta pranojmë për një moment që kërkoi një kauzë dhe gjeti. Dosja e Prokurorisë që ka zënë me presh në dorë Qeverinë duke vjedhur paratë publike, do të mjaftonte për të ngritur peshë qindra mijëra njerëz. Por askush nuk afrohet. Presin të vdesin misionarët.
Më e bukura, I thonë: “Ku i ke 64 mijë votat, pse nuk të kanë ardhur”. Ndërkohë që asnjëri nuk e pyet Menaxherin e Partisë se pse në protestat e çetës janë 500 vetë kur çeta numëron 550 mijë vota?!
Siç e thashë në fillim, më duket se të gjithë po konformohemi gradualisht. Kemi filluar ta shohim problemin te ai që reziston – kjo është shenja e parë e dorëzimit. Dhe për këtë stad ku kemi arritur, roli kryesor është ai i Sali Berishës.
E gëzofshi!
