Last Updated on 14/05/2026 by Kesjana
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar sot në fjalën e tij në Kuvend se rezoluta për procesin e integrimit europian është miratuar me konsensus të plotë në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, pas pesë orësh diskutime mes mazhorancës dhe opozitës.
Sipas Ballës, dokumenti i dakordësuar është ndër më të mirët që ka miratuar ndonjëherë komisioni parlamentar.
Ai sqaroi se debati në Kuvend lidhet drejtpërdrejt me nenin 103/1 të rregullores, i cili parashikon që në përfundim të debatit të miratohet rezoluta.
Për këtë arsye, Balla kërkoi që fillimisht të prezantohet dokumenti i komisionit dhe më pas të vijojë debati parlamentar.
Kreu i grupit socialist falënderoi publikisht edhe përfaqësuesit e opozitës për bashkëpunimin gjatë diskutimeve.
Në fund, Balla apeloi që konsensusi i arritur në komision të mos prishet gjatë seancës plenare.
“Dita e sotme e punës tonë ka nisur me një lajm pozitiv nga Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme, ku të gjithë së bashku, pa asnjë votë kundër, pa asnjë abstenim, të gjitha pro, kemi miratuar një dokument, i cili është një dokument shumë i mirë. Ndër më të mirët që mendoj unë ka miratuar ndonjëherë ky komision dhe për pasojë, pas pesë orëve debate dhe seanca, ka brenda edhe kritikën, ka brenda edhe angazhimin, ka brenda edhe syrin objektiv, por ka mbi të gjitha yllin orientues të Shqipërisë sonë të përbashkët e që është anëtarësimi në Bashkimin Europian.
E për pasojë, shumë korrekt reagimi, por ky mocion me debat sot është i ndërlidhur tërësisht me nenin 103/1, ku thuhet që në përfundim të debatit miratohet rezoluta.
Dhe për pasojë, jemi të detyruar që në fund të pesë orëve debat të miratojmë rezolutën, e cila, siç e thashë, ka kaluar me konsensus.
Dhe mendoj, zoti Kryetar, do të ishte në të mirë të procesit ta dëgjojmë rezolutën dhe më pas të çelim debatin, ku natyrisht pas prezantimit të rezolutës duhet të vijë një zë nga opozita për të thënë… Dhe këtu gjej rastin t’i falënderoj anëtarët e komisionit, por mbi të gjitha të falënderoj, pa dashur dikush ta quajë diversion, por ta falënderoj zotin Haxhinasto edhe zonjën Vokshi nga ana e opozitës. Të falënderoj zonjën Kuko dhe zotin Malaj nga ana e shumicës, pa asnjë dyshim
kryetarin e komisionit edhe zotin Shehu gjithashtu, zotin Dule, të gjithë. Ndjesë ndonjërit që nuk ia përmenda emrin, por të them të drejtën, këto 48 orë kanë qenë 48 orë realisht një punë intensive. Edhe stafet, sepse edhe stafet kanë bërë një punë shumë mirë. Kështu që të mos ta prishim punën e mirë të komisionit dhe të shkojmë përpara me diskutimin. Ta dëgjojmë njëherë atë çfarë është produkti i punës së komisionit, nga të dy, edhe nga zoti Hasani si kryetar, edhe pastaj fjalën e zonjës Vokshit si nënkryetare”, tha Balla./kb
