Last Updated on 27/07/2026 by Anisa
Një moment i regjistruar në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe opinionit publik, pasi deputeti dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është filmuar duke marrë dokumentin e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për huanë prej 302 milionë dollarësh dhe duke u larguar me të nga ambientet e Parlamentit.
Në pamjet e publikuara, Shehaj shihet teksa hyn në një prej zyrave të Kuvendit, merr dokumentin që ndodhej mbi tryezë dhe largohet. Një punonjëse e Kuvendit e ka ndjekur deri pranë shkallëve, me qëllim rimarrjen e dokumentit.
Gjatë kësaj situate, sipas të dhënave të bëra publike, ka pasur një përplasje fizike mes palëve, ku punonjësja e Kuvendit ka pësuar dëmtime të lehta.
Pas ngjarjes, Shehajt i është kërkuar përmes telefonit kthimi i dokumentit, duke iu bërë e ditur rëndësia e materialit dhe mundësia e ndjekjes së procedurave përkatëse për verifikimin e situatës. Pas komunikimit, kreu i Partisë Mundësia është rikthyer në Kuvend dhe ka dorëzuar dokumentin që kishte marrë.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe deputetja socialiste Zegjine Caushi, e cila ka kritikuar veprimin e Shehajt.
“Gonoooo, Kuvendi i Shqipërisë nuk është shtëpia jote që të hysh e të dalësh si të duash, duke shkelur rregullat e duke u sjellë me arrogancë.
Të futesh në një zyrë të Kuvendit, të ofendosh, të përdorësh forcë ndaj një punonjësi të Kuvendit dhe të marrësh pa autorizim një dokument të klasifikuar si sekret shtetëror është e turpshme dhe e papranueshme.
Shteti ligjor nuk funksionon me forcë, presion apo spektakël. Askush nuk është mbi ligjin dhe çdo veprim i tillë duhet të hetohet e të trajtohet sipas ligjit, jo të justifikohet politikisht.”
/ad
