Një shitës i mirë duhet t’ju bindë të blini diçka, apo jo? Mirëpo një burrë në Korenë e Jugut ka vendosur të bëjë krejt të kundërtën. Ai u thotë klienteve të mos i harxhojnë paratë, se shalli nuk u shkon dhe se nuk ka asgjë interesante për të parë në dyqanin e tij. Rezultati? Gra që presin më shumë se një orë në radhë, miliona shikime në rrjetet sociale dhe policë që kujdesen për turmat përpara tezgës.

Gjithçka po ndodh në tregun Namdaemun të Seulit, ku një shitës shalIesh është kthyer në një prej personazheve më të famshëm të momentit. Oferta e tij është fare e thjeshtë: gjashtë shalle për 10,000 won (rreth 6.80 dollarë), pra pak më shumë se një dollar për copë. Por, siç duket, klientet nuk po shkojnë vetëm për shallet.

Një shitës që nuk do t’ju shesë asgjë
Burri, i cili nuk e ka bërë publik emrin e tij, njihet në internet si “Scarf Uncle” (xhaxhai i shalleve). Disa e quajnë edhe “Scarfrio”, një kombinim i fjalës scarf (shall) me emrin e Leonardo DiCaprios, për shkak të pamjes së tij.
Me një stil komunikimi të drejtpërdrejtë dhe plot humor, ai ka fituar simpatinë e mijëra njerëzve. Në vend që t’u bëjë komplimente klienteve për t’i bindur të blejnë, shpesh u thotë se produktet nuk u shkojnë ose se po i harxhojnë kot paratë.

Dhe, për një arsye që vetëm interneti di ta shpjegojë, kjo strategji po funksionon në mënyrë të jashtëzakonshme. Një prej klienteve, Lee Ji-hyun, mbërriti në treg në orën 10:00 të mëngjesit dhe arriti të blinte shallet vetëm në orën 11:20. Ajo tregoi për The Guardian se kishte shkuar për ta mbështetur shitësin, pasi i pëlqente mënyra e tij e komunikimit.

Një tjetër grua, e cila kishte udhëtuar nga një qytet rreth 35 kilometra larg Seulit, e përshkroi si personazhin më të famshëm të momentit. Popullariteti i “Scarfrio”-s ka marrë përmasa të tilla, sa njerëzit shkojnë në treg vetëm për ta parë, për të bërë fotografi me të ose për ta filmuar.
Videot e tij kanë grumbulluar miliona shikime, ndërsa përpara tezgës krijohen radhë që kërkojnë organizim me numra. Në fillim të nëntorit, u angazhuan edhe roje private sigurie për të menaxhuar turmat.

Shitësi është detyruar disa herë ta mbyllë përkohësisht tezgën dhe nuk i publikon më oraret e punës. Megjithatë, jo të gjithë janë të kënaqur me famën e tij.
Tregtarët fqinjë ankohen se turmat bllokojnë kalimet dhe hyrjet e dyqaneve. Një shitës këpucësh, që punon prej më shumë se 30 vitesh në treg, tha se shumë të rinj vijnë vetëm për të filmuar personazhin e famshëm, pa blerë asgjë nga bizneset përreth.
Të tjerë mendojnë se vëmendja i ka bërë mirë tregut, pasi po sjell vizitorë të rinj edhe në restorantet, kafenetë dhe dyqanet e zonës.

Vetë shitësi ka pranuar në rrjetet sociale se fama e papritur i ka shkaktuar presion dhe ankth, duke u kërkuar ndjesë tregtarëve të tjerë për shqetësimet.
Pra, marketingu më i mirë qenka t’u thuash klienteve se nuk kanë nevojë për produktin tënd./k.m
