Nga Erion Dasho
Këto javë Anthony Fauci është rikthyer në qendër të vëmendjes dhe, së bashku me të, edhe gjithë debatet që shoqëruan pandeminë e COVID-it.
Për mbështetësit e teorive konspirative, refuzimi i Faucit për t’ju përgjigjur pyetjeve të komisionit hetimor të Senatit Amerikan përkthehet jo vetëm në pranimin automatikisht të akuzave që i janë ngritur në senat, por edhe në konfirmimin e gjithë çmendurive që kanë kaluar në mendjet e tyre të çartura.
Në varësi të konspiracionistit që pyet, heshtja e Faucit do të thotë se ai ka pranuar se:
-Virusi u prodhua në laborator si armë biologjike për të zhdukur gjysmën e njerëzimit.
-Plani kishte vite që hartohej nga Fauci dhe Bill Gates në bashkëpunim me laboratorin e virologjisë në Wuhan.
-Industria farmaceutike ndërkohë kishte bërë gati vaksinat për të fituar miliarda dollarë/ euro/ jenë/ paund, etj. (Kuptohet në akord të plotë me Faucin!)
Në momentin e fundit u prodhua dhe u hodh në treg edhe një terapi gjenetike e maskuar si vaksinë, e aftë të shkaktojë abort, sterilitet, vdekje nga zemra, nga kanceri, etj. (Ç’e pyet?! Arma perfekte që nuk e ka patur në dispozicion asnjë ushtri në historinë e njerëzimit!)
Vetëkuptohet se heshtja e Faucit “provon” pa asnjë dyshim edhe se disa mjekë “heronj” dhe “të ndriçuar” që u ngritën kundër establishmentit, u arrestuan, u helmuan, u vranë, ju sabotuan avionët, etj. (Këtu Tom Kruiz plas nga inati që Fauci po i bën filmat “Mission Imposible” të duken si muzikale Bollivudi!)
T’i rikthehemi seriozitetit.
E kam shkruar që ditën që Fauci dëshmoi para senatit, se ndihem thellësisht i zhgënjyer nga refuzimi i tij për të folur. E mirëkuptoj frikën e natyrshme që ai dhe çdo shkencëtar tjetër në Amerikë ka nga gjuetia e shtrigave, por ajo që pasoi dëshminë e Faucit, i kalon kufijtë e një individi.
Ka të bëjë me besimin që njerëzit duhet të kenë tek shkencëtarët, kërkuesit, mjekët dhe ekspertët e shëndetit publik, kur përballen me sfida dhe rreziqe për shëndetin dhe jetën.
Pyetjet që shtrohet janë: A do të vazhdojnë të besohen shkencëtarët, apo njerëzit do t’u drejtohen politikanëve, konspiracionistëve, sharlatanëve dhe pazarexhinjve?! A do ta drejtojë vendimmarrjen e nesërme shkenca dhe evidenca, apo dizinformimi dhe konspiracioni?!
Kuptohet se shkenca nuk mund të reduktohet në besimin e verbër tek një person, qoftë ky Fauci, Tedrosi, Bill Gates apo kushdo tjetër qoftë. Shkenca nuk mund të bëhet as me partizanllëk politik, me mllefe “të thashë, më the”, “parashikova këtë, doli ajo”, dhe as duke ngjallur frikë e terror mbi publikun e gjerë.
Shkenca lidhet me evidencat e kërkimit shkencor, publikimet e kaluara në filtrin e rishikuesve, debatin shkencor, testimin e hipotezave, pranimin dhe korrigjimin e gabimeve, si edhe në ndryshimin e përfundimeve kur evidenca të reja e kërkojnë një gjë të tillë.
Shkenca bëhet në universitete, institute kërkimore dhe forume të cilat ja kalojnë evidencat institucioneve. Këto të fundit vlerësojnë, gjykojnë, peshojnë dhe në fund i përkthejnë evidencat në këshilla, rekomandime dhe udhëzime.
Kjo mënyrë komunikimi dhe besimi i krijuar në dekada tek institucionet shëndetësore dhe ato të shëndetit publik, e solli shoqërinë në pikën që kemi arritur sot, kur njerëzimi nuk ka qënë asnjëherë kaq i shëndetshëm, jetëgjatë dhe vital sa sot.
Për të mos shkuar shumë larg. I mbajmë mend gjyshërit që dilnin në pension 60 vjeç dhe kur vdiste dikush 70 vjeç quhej se “i kishte bërë ditët e Perëndisë”. Sot kur dikush vdes 70 vjeç quhet i ri dhe çdokush synon të ketë një jetë aktive deri në të tetëdhjetat e nëntëdhjetat.
Sepse shkenca mjekësore shpiku vaksinat që fëmijët, të moshuarit dhe personat e prekur nga sëmundje kronike të mos vdesin nga infeksionet banale, shpiku antibiotikët për t’i trajtuar ata.
Në kardiologji u shpik stenti dhe qindra medikamente jetëshpëtues, u zhvilluan procedura si bypassi dhe transplanti, kurse në nefrologji dializa dhe po ashtu transplanti.
Në onkologji u zbuluan radioterapia, kimioterapia e tanimë imunoterapia që e kanë kthyer kancerin nga një “dënim me vdekje” në një sëmundje kronike ku personi i prekur jeton normalisht dhjetë ose njëzet vjet, madje shumë shpesh edhe shërohet plotësisht.
Mjekësia dhe shëndeti publik kanë bërë dhe do të vazhdojnë të bëjnë mrekulli të përmasave të tilla që në asnjë moment nuk duhet të vendosen në rrezik.
Kjo është arsyeja se përse këto ditë kam shkruar dhe do të vazhdoj të shkruaj, jo në mbështetje të Faucit dhe Morens, por në mbështetje të shkencës. Sepse besoj se vendimet për shëndetin tonë duhet të bazohen tek shkenca dhe jo tek agjendat politike dhe, aq më pak akoma, tek teoritë e fantaksura konspirative.
Le ta mbyll me disa pyetje që i gjykoj thelbësore: kur të sëmureni ju vetë, prindi apo fëmija juaj, do të trokisni në një derë mjeku për të përfituar nga ato mundësi trajtimi që rendita më lart, apo në një zyrë politikani ose studio konspiracionistësh gjithologë?
Po kur “sëmuret” një lagje, një qytet, një vend apo krejt bota?! Cilën do të zgjidhni për t’u shëruar? Shkencën apo politikën?/kb
