MidJourney, kompania e njohur për gjenerimin e imazheve me Inteligjencë Artificiale, po tenton të hyjë në një fushë krejt tjetër: imazherinë mjekësore.Kompania ka njoftuar se ka investuar mbi 74 milionë dollarë në prodhuesin e pajisjeve me ultratinguj, Butterfly Network, me synimin për të zhvilluar atë që e quan një formë të re të skanimit mjekësor.
Pajisja, e quajtur MidJourney Scanner, pretendohet se mund të skanojë të gjithë trupin e njeriut duke e zhytur pacientin në ujë dhe duke përdorur një unazë sensorësh ultrasonikë.Sipas kompanisë, trupi i pacientit do të kalojë përmes një sistemi sensorësh që përdorin valë zanore për të krijuar një hartë 3D të trupit. Në materialet promovuese, MidJourney e krahason këtë proces me mënyrën se si delfinët përdorin ekolokacionin për të kuptuar mjedisin përreth.Kompania pretendon se një skanim i plotë i trupit mund të zgjasë vetëm 60 sekonda, shumë më pak se një rezonancë magnetike e plotë, e cila mund të marrë mbi një orë. MidJourney madje ka deklaruar se synon të hapë një “spa” me këtë skaner në San Francisko vitin e ardhshëm dhe se deri në vitin 2031 mund të ketë dhjetëra mijëra pajisje të tilla në përdorim.
Megjithatë, pretendimet kanë ngjallur shumë skepticizëm në komunitetin mjekësor. Radiologë dhe ekspertë të imazherisë thonë se kompania nuk ka dhënë mjaftueshëm të dhëna për atë që pajisja mund të zbulojë realisht, sa e saktë është dhe nëse mund të ketë vlerë diagnostikuese për pacientët.Lexo edhe: 6 milionë euro për startup-et! Qeveria dyfishon fondet për Grant 26Një nga shqetësimet kryesore lidhet me vetë kufizimet e ultratingullit. Kjo teknologji nuk depërton mirë përmes kockave, ajrit apo indeve të thella, çka e bën të vështirë skanimin e disa pjesëve të trupit.
Për këtë arsye, ekspertët dyshojnë se pajisja mund të zëvendësojë metoda ekzistuese si rezonanca magnetike apo skaneri CT. Profesori Francis Deng nga Johns Hopkins Medicine u shpreh se projekti mund të ketë një bazë teknike, por do të kufizohet nga pamundësia themelore e ultratingullit për të depërtuar në zona të caktuara të trupit. Ai e quajti gjithashtu të papritur këtë kthesë të MidJourney drejt pajisjeve mjekësore. Edhe specialistja e imazherisë së gjirit, Laura Heacock nga Universiteti i Nju Jorkut, ngriti pikëpyetje mbi vlerën praktike të pajisjes. Sipas saj, ultratingulli tomografik ekziston tashmë në disa aplikime, si për imazherinë e gjirit, por përdorimi i tij për të gjithë trupin është një tjetër nivel kompleksiteti.
Ajo theksoi se fakti që pacienti duhet të zhytet në ujë e bën procesin më pak të thjeshtë nga sa paraqitet në materialet promovuese. Për më tepër, sipas saj, nuk është e qartë pse dikush do të përdorte një pajisje eksperimentale të tillë, kur rezonanca magnetike e plotë ekziston tashmë dhe ofron cilësi diagnostikuese të provuar. Një tjetër shqetësim lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale në interpretimin e të dhënave mjekësore.
Ekspertët paralajmërojnë se AI mund të përmirësojë pamjen e një imazhi, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se informacioni i shtuar është real apo i saktë. Në mjekësi, një interpretim i gabuar mund të çojë në diagnoza të pasakta, analiza të panevojshme apo ndërhyrje të rrezikshme.
Skepticizmi është shtuar edhe për shkak të historikut të MidJourney. Kompania është bërë e njohur për gjenerimin e imazheve me AI, por teknologjia e saj është përdorur më parë në një skandal akademik, ku një revistë shkencore u detyrua të tërhiqte një punim që përmbante ilustrime të pakuptimta të krijuara me inteligjencë artificiale.Për shumë komentues online, hyrja e MidJourney në fushën e imazherisë mjekësore ngjan me raste të mëparshme ku kompani teknologjike kanë bërë premtime të mëdha në shëndetësi, por pa prova të mjaftueshme shkencore.
Disa e kanë krahasuar madje me Theranos, startup-in e testimit të gjakut që u rrëzua pas zbulimit se teknologjia e tij nuk funksiononte siç pretendohej. MidJourney thotë se fillimisht pajisja do të ofrojë harta të përbërjes trupore, ndërsa më pas do të dorëzojë të dhëna testimi pranë FDA-së për funksione më të avancuara. Por deri tani, pa rezultate klinike të qarta dhe pa prova të pavarura, pretendimet e kompanisë mbeten larg pranimit nga komuniteti mjekësor./ad
