Last Updated on 08/07/2026 by Anisa
Zlatko Dalic ka vendosur të mbyllë aventurën e tij si trajner i kombëtares së Kroacisë pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.
Tekniku kroat ka informuar Federatën Kroate të Futbollit për vendimin e tij gjatë një takimi me presidentin e federatës, Marijan Kustic, duke i dhënë fund një prej periudhave më të suksesshme në historinë e futbollit kroat.
Dalic mori drejtimin e Kroacisë në vitin 2017 dhe nën udhëheqjen e tij “Vatrenët” përjetuan epokën më të artë të tyre në arenën ndërkombëtare.
Gjatë këtyre viteve, Kroacia fitoi tre medalje në turnetë më të rëndësishëm:
vendin e dytë në Kupën e Botës 2018 në Rusi;
medaljen e bronztë në Botërorin 2022 në Katar;
medaljen e argjendtë në Ligën e Kombeve UEFA 2023.
Gjithashtu, Dalic udhëhoqi ekipin drejt kualifikimit në kampionatet europiane të vitit 2020 dhe 2024, si dhe në Kupën e Botës 2026.
“Gjithmonë kam thënë se nuk ka nder më të madh sesa të drejtosh kombëtaren tënde. Nuk mund të kisha pasur një punë më të rëndësishme, më të përgjegjshme dhe më të bukur”, deklaroi Dalic.
Trajneri 59-vjeçar theksoi se kur mori drejtimin e skuadrës kishte besim te cilësitë e lojtarëve dhe te vetja, por nuk e kishte imagjinuar se Kroacia do të arrinte kaq shumë suksese.
“Jam krenar për fitoret, kualifikimet dhe medaljet që kemi marrë, por një nga arritjet më të mëdha ka qenë lidhja e krijuar mes ekipit dhe tifozëve kroatë”, u shpreh ai.
Dalic falënderoi stafin teknik, ekipin mjekësor, drejtuesit e federatës, tifozët, mediat dhe familjen e tij për mbështetjen gjatë viteve të punës në krye të kombëtares.
Ai vlerësoi gjithashtu brezin e artë të lojtarëve kroatë, me në krye kapitenin Luka Modriç, që udhëhoqi skuadrën drejt finales së Botërorit 2018, por edhe futbollistët e rinj që kanë marrë gjithnjë e më shumë përgjegjësi në ekip.
“Kam qenë jashtëzakonisht i privilegjuar që kam drejtuar futbollistë kaq të mëdhenj dhe njerëz me cilësi të jashtëzakonshme. Ata gjithmonë e kanë vendosur Kroacinë në plan të parë”, tha trajneri.
Dalic zbuloi se kishte marrë mbështetje për të vazhduar në këtë detyrë, por beson se tashmë ka ardhur momenti i duhur për t’i dhënë fund këtij kapitulli.
“Edhe pse ende kam ambicie dhe dëshirë për të arritur suksese të reja me Kroacinë, besoj se ky është momenti i duhur për të mbyllur këtë epokë të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Me largimin pas Botërorit 2026, Zlatko Dalic do të mbetet trajneri më i suksesshëm në historinë e kombëtares kroate, duke e kthyer skuadrën në një prej ekipeve më të qëndrueshme në futbollin ndërkombëtar.
Ai uroi sukses për pasardhësin e tij dhe shprehu besim se e ardhmja e futbollit kroat do të vazhdojë të jetë e ndritur.
Dalic ka drejtuar gjithashtu edhe disa klube në karrierën e tij, përfshirë edhe Dinamon në Shqipëri, në sezonin 2008/09./ad
