Ish deputeti Ervin Salianji ka reaguar pas deklaratave dhe akuzave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha se po i shërben Partisë Socialiste me lëvizjen e tij dhe se ai do të ketë fatin e ish drejtuesit demokrat Lulzim Basha.
Salianji ironizon Berishën duke iu referuar si “Sali kolltuku”, duke shtuar se ai mendon se të gjithë do të duhet të bëhen skllevër të tij. Ish deputeti thekson se nuk ka përfunduar në krahët e askujt, referuar komentit të Berishës në lidhje me Taulant Ballën, ndërsa shton se nuk ka qenë dhe as nuk do të bëhet kurrë pjesë e pazareve politike.
Unë nuk kam përfunduar në “krahët” e askujt. Isha dhe jam i lirë, siç edhe sot po them atë që të gjithë mendojnë: e përbuzin Sali kolltukun për uzurpimin që i ka bërë Partisë Demokratike, por e shajnë me rrënjë e degë vetëm në tavolina. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij. Dhe për këtë kam paguar çmim personal.”, thotë ai.
Sa i përket komentit se do të ketë “fatin e Lul Bravës”, ish deputeti i thekson Berishës se ai duhet të shikojë fatin e vet politik pasi është një lidership që nuk po frymëzon më, por po i shmanget përballjes.
“Ata që sot flasin për “fate” të të tjerëve duhet të shohin fatin e tyre politik: një lidership që nuk frymëzon më, që nuk fiton më dhe që i shmanget çdo përballjeje reale. Kur nuk ke përgjigje për dështimin, shpik histori. Kur nuk ke mbështetje, sulmon këdo që ngrihet.”, shton më tej ai.
Më pas, e akuzon se ka bashkëpunuar me kryeministrin Edi Rama për reforma, koncesione dhe përfitime, ndërsa e sfidon që të dalë të flasë për biznesmenin Ermal Beqiri si edhe “për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri.”
Në fund, Salianji i thotë se i ka bërë hesapet gabim me të dhe se dp ta çmontojë së bashku me “autokratin e qeverisë”.
“Regjimi Rama-Berisha është i përbuzur nga shqiptarët! Dhe meqë ke mbështetje, dil në garë, mos u fshih si frikacak.”, përfundon ai.
Reagimi i plote:
Përgjigje Sali kolltukut; 36 vite në pushtet në kurriz të demokratëve i kanë krijuar mendësinë që kushdo ka detyrim të jetë skllav i tij.
Nuk ka asgjë më të vjetër në politikë sesa kur dikush që ka humbur lidhjen me realitetin përpiqet të shpikë armiq për të fshehur frikën nga gara.
Të më krahasosh me këdo tjetër është mënyra më e lehtë për të shmangur thelbin: sot problemi nuk janë demokratët që duan fitore, por fakti që një pjesë e lidershipit ka humbur besimin e njerëzve dhe po i trembet çdo zëri ndryshe.
Unë nuk kam përfunduar në “krahët” e askujt. Isha dhe jam i lirë, siç edhe sot po them atë që të gjithë mendojnë: e përbuzin Sali kolltukun për uzurpimin që i ka bërë Partisë Demokratike, por e shajnë me rrënjë e degë vetëm në tavolina. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij. Dhe për këtë kam paguar çmim personal.
Ata që sot flasin për “fate” të të tjerëve duhet të shohin fatin e tyre politik: një lidership që nuk frymëzon më, që nuk fiton më dhe që i shmanget çdo përballjeje reale.
Kur nuk ke përgjigje për dështimin, shpik histori.
Kur nuk ke mbështetje, sulmon këdo që ngrihet.
Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq për reforma, je ulur për leje, licenca, koncesione, përfitime. Dil e fol për Ermal Beqirin, për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri.
Sa për gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim.
Lulzim Bashën e solle e mbajte dhe ta fali partinë. Me mua i ke bërë hesapet gabim: do të çmontoj ty dhe autokratin e qeverisë. Regjimi Rama-Berisha është i përbuzur nga shqiptarët! Dhe meqë ke mbështetje, dil në garë, mos u fshih si frikacak.
