Last Updated on 25/11/2025 by EL
Andrew Carnegie, mbreti i ardhshëm i çelikut dhe njeriu më i pasur në botë, lind në Skoci. Carnegie mbërrin në Shtetet e Bashkuara në moshën 13 vjeç dhe, pa asnjë arsimim formal, krijon industrinë e çelikut që do të ndërtojë hekurudhat, urat dhe automobilat e Amerikës. Në vitin 1901, ai bëhet njeriu më i pasur në botë, duke ia shitur kompaninë e tij JP Morgan për 480 milionë dollarë, por kur vdiq në vitin 1919, ai kishte dhuruar 350 milionë dollarë për bamirësi.
Carnegie ishte 13 vjeç në vitin 1848 kur familja e tij u largua nga Skocia për në Amerikë, duke kërkuar një jetë më të mirë, dhe u vendos në atë që tani njihet si Pittsburgh. Me çfarëdo arsimimi që kishte arritur të merrte në Skoci, Andrew gjeti një punë në një fabrikë pambuku, ku fitonte 1.20 dollarë në javë.
Ambicioz dhe punëtor, ai punoi në një sërë vendesh pune dhe në vitin 1859 pasoi shefin e tij si mbikëqyrës i hekurudhës. Ndërsa ishte në këtë pozicion, ai bëri investime fitimprurëse në një numër biznesesh, duke përfshirë kompani qymyri, metalesh dhe nafte, si dhe një prodhues vagonësh.

Pasi u largua nga hekurudhat në vitin 1865, Carnegie vazhdoi ngritjen e tij në biznes. Industria hekurudhore po hynte në një periudhë rritjeje të lartë dhe ai zgjeroi investimet e tij në atë sektor dhe themeloi një kompani ndërtimi urash shpesh duke përdorur kontaktet e tij për të siguruar kontrata.
Në filli të viteve 1870, ai themeloi kompaninë e tij të parë të çelikut, pranë Pitsburgut. Gjatë disa dekadave të ardhshme, ai ndërtoi një perandori çeliku dhe fitoi kontrollin e fabrikave, lëndëve të para dhe infrastrukturës së transportit.
Ai e konsideronte veten një kampion të punës, por reputacioni i tij u dëmtua nga greva e dhunshme në uzinën e tij në Homestead në vitin 1892. Ai ishte me pushime në Skoci kur filloi greva, por mbështeti drejtorin e përgjithshëm të uzinës, i cili i mbylli punëtorët jashtë ndërtesës. Pasoi një betejë e ashpër, në të cilën u vranë dhjetë burra. Pas pesë muajsh, greva përfundoi me humbjen e sindikatave. Për katër dekadat e ardhshme, lëvizja punëtore në uzinën e çelikut të Pitsburgut u dobësua.
Në vitin 1901, bankieri John Pierpont Morgan bleu Carnegie Steel për 480 milionë dollarë, duke e bërë Andrew Carnegie njeriun më të pasur në botë. Po atë vit, Morgan bashkoi Carnegie Steel me një numër fabrikash të tjera çeliku për të formuar U.S. Steel, kompania e parë në botë që theu shifrën e 1 miliard dollarëve.
Pasi shiti kompaninë e tij, Carnegie u tërhoq nga biznesi dhe iu përkushtua filantropisë. Në vitin 1889, ai shkroi esenë “Ungjilli i Pasurisë”, në të cilën argumentoi se të pasurit kanë “një detyrim moral për të shpërndarë pasurinë e tyre në një mënyrë që do të nxisë mirëqenien dhe lumturinë e njerëzve të thjeshtë”. “Njeriu që vdes i pasur vdes i turpëruar”, tha ai.

Në fund të fundit, ai dhuroi 350 milionë dollarë, që me paratë e sotme do të ishin miliarda dollarë. Kjo është, pjesa më e madhe e pasurisë së tij.
Ndër të tjera, ai themeloi mbi 2,500 biblioteka publike në të gjithë botën, dhe vetë ishte një dashamirës i librave./e.t
